Kryeministri Rama, nga kantieri i aeroportit të Kukësit ku po zhvillon dhe aktivitetin “Deputeti që Duam” deklaroi se do ta kthejë qytetin në një pikë referimi për të gjithë qytetarët.
Ai u shpreh se do të kthejë qytetarët kukësian në vend me ndërtimin e aeroportit, madje duke i sjellë vota PD-së.
Ndërkohë ai foli dhe për rrugën e Kombit për të cilën u shpreh se ajo u la rrugëve nga PD-ja dhe se mund të inagurohej nga Sali Berisha edhe nëse do të ishte gjysmë gati, por ajo nuk ishte ndërtuar plotësisht.
“Në përpjekje për të komunikuar me të gjithë që kanë dëshirën që ndjen shtysën dhe që ka dhe kurajon për tu bërë pjesë e përpjekjes sonë. Të na bashkohet dhe të shprehë gatishmërinë përmes platformës tonë online që të jetë pjesë e skuadrës së PS-së. Për një arsye shumë të thjeshtë. Kthesa që kemi marrë dhe ku tanimë kemi hyrë thellë për të filluar të dalim në rrugën që e ngre Shqipërinë në një nivel tjetër, nuk mund të zbrapset. Shqipëria nuk mund të ngecë ku gjithçka ka nisur të ndryshohet si ky aeroport. Do të ndodhë me Shqipërinë e njëjta që ndodhi me rrugën e Kombit. E cila është e vetmja vepër e nisur nga ata që duan të rikthehen në krye të vendit me njëfarë ideje që të bëhej një vepër e standarteve më të mira. Edhe ajo rrugë e cila u inagurua për zgjedhje dhe u përurua me tantane si të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën dhe jo thjesht hapje e tunelit ndërkohë që as ajo nuk ishte përfunduar. U la rrugëve në një situatë që filloi të degradojë. U la në në një situatë ku filluan të rrëshkisnin gurët. U kthye në burim aksidentesh. Çfarë po ndodh me rrugën e kombit. Është një ndryshim cilësor. Shikoni se çfarë vepre inxhinierike po merr formë përfundimtare në nyjen kryesore. Shikoni aeroportin, sa herë e keni dëgjuar se do të çelej. Ka nga ata që thonë se aeroporti ka qenë gati. Nëse do të ishte gjysmë gati, imagjinoni sa herë do ta kishte inaguruar Saliu.
Ishte një pistë e inaguruar nga Mbreti i Emirateve të Bashkuara i asistuar nga princi i Kurorës. U ndërtua për tu ulur vetëm mjetet që sillnin ndihma për ata që u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga Kosova. Ja ku jemi sot. Është një kantier i madh që është në punë intensivisht, pasi janë zgjidhur problemet me të gjithë banorët përreth. Me një terminal që tashmë ka marrë formë, që dhe një terminal i një aeroporti ndërkombëtar. Do ta kthejmë Kukësin në një pikë referimi. Do të kthej kuksianët këtu që të votojnë PD-në. Do i sjell PD-së 120 vota këtu. Do të jetë një aeroport që do të sigurojë linja që nuk i ka. Unë kam këmbëngulur pa pushim të ndërtohej aeroporti i Kukësit. Tani duhet ta rihapim pasi u ndërpre për shkak të COVID-it. Edhe po kështu aeroportin e Sarandës. Nëse Shqipëria ka 4 aeroporte, potenciali turistik i Shqipërisë do të rritet shumë. Koncensionari i aeroportit nuk ka konkurrentë, ndaj dhe çmimet në të janë shumë të larta. Me ndërtimin e aeroporteve të tjera nuk do të ketë më kaq çmime të larta” – tha Rama.