Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka prezantuar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të OSBE-së.
Rama në fjalën e tij në seancë në cilësinë si kryetar i radhës i OSBE-së, është fokusuar në disa çështje, kryesisht për krizën në Ukrainë, ndërsa ka theksuar se përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit qëndrojnë në krye të axhendë së kryesimit të kësaj organizate.
Kryeministri Rama ka theksuar se kriza në Ukrainë mbetet sfida më e ngutshme e sigurisë në Evropë sot.
“Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së është një ngjarje madhore, që shënon një hap më sipër në lidershipin tonë ndërkombëtar. Në krye të OSBE-së, objektivi strategjik i Shqipërisë do të jetë të mbrojë veprimin shumëpalësh në një kohë kur ndjejmë se po sulmohet. Kjo është arsyeja që na nxiti të kryesojmë OSBE-në dhe që frymëzon kërkesën tonë për t’u ulur në të ardhmen në këtë Këshill të shquar”, ka theksuar kryeministri Rama.
Ai theksoi se promovimi i lirisë së medias, garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe lufta kundër dhunës ndaj gruas janë prioritete të menjëhershme dhe urgjente të kryesisë së OSBE-së.
“Mundësi të tjera për përforcimin e përpjekjeve të ndërsjella do të jetë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, ndërtimi mbi bashkëpunimin e shkëlqyer me zyrën e OKB-së kundër terrorizmit, si dhe trajtimi i krimit të organizuar transnacional, në bashkëpunim me zyrën e OKB-së kundër drogës dhe krimit”, është shprehur më tej Rama.
Rama gjatë qëndrimit në SHBA, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB- së, Antonio Guterres, sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
Gjithashtu ai ishte pjesë edhe e një bashkëbisedimi organizuar nën kujdesin e Këshillit të Atlantikut, një organizatë think tank, ku në fjalën e tij u fokusua në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe “Shengenin rajonal”.
Kujtojmë se Shqipëria ka kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2020.