Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama ka paditur për shpifje kryeministrin ne detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Dokumenti zyrtar i cili përmban 30 faqe i është dorëzuar këtë të mërkurë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në një postim në facebook, drejtori i Institutit për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj bën të ditur se në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Ramush Haradinaj ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, thuhet në padi.
Sipas padisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës: “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”. Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Gjykatës që përveç kompensimit të dëmit, Haradinaj t’i përgënjeshtroje deklaratat e rreme.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, konsideron se, padia e Ramës është e pabazuar
“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve dhe për të cilën kërkon kompensim të dëmit.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.