Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që të vazhdojë punimet për të riorganizuar një spital të tretë për trajtimin e të sëmurëve COVID-19.
Pavarësisht se bilanci i pandemisë po vjen duke u ulur dhe shenjat janë se infeksioni po përmbahet, Kryeministri u shpreh se sistemi shëndetësor duhet të jetë gati edhe për rastet më të vështira, siç mund të jetë një valë e dytë e pandemisë.
Kërkesën, Kryeministri e bëri gjatë inspektimit të depos së re farmaceutike të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT).
“Duhet ta përgatisim medoemos strukturën tjetër sepse çdo gjë mund të ndodhë dhe ne duhet të jemi gati, pasi është shumë problem kjo situata e hapjes. Njerëzit u relaksuan, shumica e kupton që ishte rezultat i shtrëngimit të fortë, por rutina dhe zakonet janë të forta, prandaj duhet të përgatitemi shumë rreth mundësisë së një vale tjetër. Uroj që të mos kemi rastin për një valë tjetër, por duhet të jemi gati,” – theksoi Rama.
Prej 9 marsit, kur u konstatuan rastet e para me COVID-19, të sëmurët me koronavirus janë trajtuar në Spitalin Infektiv dhe atë të mushkërive në Sanatorium.
Me situatën e muajit mars, Komiteti Teknik i Ekspertëve kërkoi struktura të tjera gati dhe u vendos për një qendër tjetër spitalore – ish-spitali i kirurgjisë në QSUT, – dhe po kështu për një strukturë që do të përdorej për të vënë në izolim të sëmurët me më pak simptoma – godina e ish-Universitetit jopublik Kristal.
Këto plane, të cilat u konsideruan nga qeveria si plani i tretë apo i katërt, fatmirësisht nuk u bënë të detyrueshme për t’u zbatuar, pasi numri i rasteve ditore në muajin prill pësoi rënie të vazhdueshme.
Ministrja Manastirliu u shpreh se prej faktit se numri i pacientëve ka rënë nën 30 po mendohet që pas 18 majit të mbyllet Spitali i Sanatoriumit “Shefqet Ndroqi”, përshtatur dhe njohur ndryshe si Spitali COVID-2 – shërbimi i Sanatoriumit këtë periudhë është shpërngulur në Spitalin e Elbasanit.
Megjithatë ajo siguroi se punimet kanë vazhduar dhe do të përmbyllen që sistemi i shëndetësisë të ketë kapacitetet e mjaftueshme për çdo rast të nevojshëm.
“Jemi në hapat e fundit për të krijuar mundësinë e optizimizimit të strukturës së ish-kirurgjive në QSUT në rast se do të nevojitet për trajtimin e pacientëve me COVID. Aktualisht forcat janë përqendurar në QSUT. Jemi duke menduar mbylljen e COVID2 nga data 18 maj. Ndërkohë që struktura e COVID3 do të jetë shumë shpejt gati, për të përqëndruar në QSUT trajtimin e pacienteve. Pavarësisht se kemi ulje në numra, të gjithë strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri,” – tha Manastirliu.
Për sa i përket depos farmaceutike të QSUT-së të cilën e inspektoi sot Kryeministri, ajo nisi të ndërtohej në vitin 2017 sipas një projekti me vlerë rreth 1,7 milionë euro.
Depoja ka rreth 3 mijë metra katror kapacitet magazinimi dhe për herë të parë i ofron QSUT-së kushte optimale për të ruajtur cilësinë e barnave.
Krahas këtij investimi në QSUT është riorganizuar dhe shpërndarja e me rreth 30 farmacistë që lidhen me infermierinë dhe mundësojnë shërbimin ditor shumë më mirë se sa përpara këtij investimi.