Në një deklaratë për shtyp pas votimit nga Kuvendi për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Rama tha se një drejtësi të pavarur nga pushteti i politikës, e aftë për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta dhe krimin e organizuar, e kishte kërkuar si në opozitë, edhe kur u bë kryeministër i Shqipërisë.
“Kur kam thënë se nuk duam një reformë për ta vënë drejtësinë nën kontrollin e një pale kundër tjetrës, po duam një drejtësi të re, të pavarur nga pushteti i politikës, të aftë për ta luftuar korrupsionin e niveleve më të larta dhe krimin e organizuar, të ndershme në hetimet e gjykimet e saj, pavarësisht ngjyrave partiake, lidhjeve klanore, tundimeve korruptive, nuk kam qenë vetëm lideri i opozitës, po kam qenë edhe kryeministri i Shqipërisë. Nuk kam folur për të qenë në rregull me manualin e komunikimit të kryetarit të qeverisë, si paraardhësit e mi. As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur pa pushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit asokohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se këtë mision ia kishin besuar shqiptarët dhe se nuk mund të pajtohej me askënd që abuzon me këtë besim.
“Nuk jam përpjekur thjesht për korrupsionin e nivelit të lartë të atyre që dje në qeveri grabitën sa mundën dhe sot në opozitë baltosin sa mundin pa u hyrë ende as edhe një gjemb në këmbë, po e kam pasur edhe për nivelin e lartë të qeverisjes sonë, sigurisht sepse mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe përpara atyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur apo qoftë atyre që nuk më kanë zgjedhur për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të të gjithëve, për këtë vend të bekuar nga dora e Zotit dhe të penguar kaq gjatë nga dora e robit, unë nuk pajtohem dot me askënd që e abuzon këtë besim, duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin”, theksoi ai.
Kryeministri deklaroi se nuk do të mbante as ai, e as Partia Socialiste, mbi shpinë, askënd që e kujton gabimisht shpinën e madhe të kësaj familjeje politike, kurrizin e një kali që mund ta kalërojë për të shirë për vete, në lëmin e pushtetit të marrë nga populli.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si test për qeverinë votimin për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
“Sot ne votuam një kërkesë të SPAK për të autorizuar arrestimin e një deputeti, i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona si ministër dhe zëvendëskryeministër. Ky, i zyrtarit më të lartë që deri sot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK, ishte një tjetër test për ne, si nismëtarë të Reformës në Drejtësi kur ishim në opozitë, udhëheqës të saj të vendosur kur erdhëm në qeveri dhe garantë të saj të palëkundur që kur reforma u miratua dhe nisi zbatimi i saj”, deklaroi Kryeministri në një deklaratë për shtyp nga zyra e Kryeministrisë.
Rama theksoi se drejtësia e çerekshekulli tranzicion e kishte kthyer pandëshkueshmërinë në një normë poshtëruese për shqiptarët dhe Shqipërinë.
“Kush më ka dëgjuar që në krye të herës, besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë Reformë. Kur kam thënë së nuk duam një tjetër barrë nga ato të mëparshmet për Drejtësinë, por duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë çfarë flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar. Kur kam folur për sistem të vjetër, nuk kam pasur parasysh vetëm kalbësirën kutërbuese të drejtësisë, gjasme demokratike, të çerekshekulli tranzicion, ku pandëshkueshmëria ishte kthyer në një normë poshtëruese për shqiptarët dhe Shqipërinë, por kam pasur parasysh edhe vetë kulturën mjerane të një drejtësie të egër për njeriun e zakonshëm dhe të një drejtësie të gjunjëzuar para njeriut të veshur me pushtet, kulturë që rrënjët i ka të shtrira qysh nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar dhe deri vonë në ditët tona”, tha ai.
Sipas Kryeministrit Rama, nuk kishte ndodhur që një shkelës ligji në pushtet të trajtohej si një njeri i zakonshëm, në shkelje të ligjit.
“Asnjëherë që nga vitit 1912, deri në vitet kur ne, Partia Socialiste e Shqipërisë i hymë detit me këmbë, për të nxjerrë Reformën në Drejtësi, nuk kishte bërë kur vaki, që një shkelës ligji në pushtet të trajtohej si një njeri i zakonshëm në shkelje të ligjit”.
Rasti i vetëm, theksoi ai, ishte ai i arrestimit të ish-kryeministrit Fatos Nano.
“Rasti i vetëm në memorien historike të 33 vjetëve nga rënia e sistemit të drejtësisë proletare, kur një njeri me pushtet është dënuar nga gjykatat e këtij vendi, ai i ish-kryeministrit Fatos Nano ishte në fakt, rasti i fundit i traditës shtetërore shqiptare, të persekutimit dhe burgosjes politike të një kundërshtari të pushtetit arbitrar të radhës, që nga koha e përpara mbretërisë e deri shumë vonë. Periudha e diktaturës komuniste ishte pastaj shëmbëlltyra më e përbindshme e asaj kulture barbarie të drejtësisë sipas oreksit të të parit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se gjithçka po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, e ka zanafillën pikërisht te vullneti i Partisë Socialiste në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët.
“Kjo nuk është as dita për t’i thënë dobësitë dhe të metat e punës së organeve të reja të drejtësisë, as për t’i shprehur shqetësimet mbi problematikat e mprehta të veprimtarisë së tyre të re. Kjo është dita për t’u kujtuar të gjithëve edhe njëherë, se gjithë çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të pushtetshmit po humbasin pushtetin mbi drejtësinë,përtej të tëra rezervave që të gjithë mund të kenë, për arsye të ndryshme, këndvështrime të ndryshme, SPAK-u, Gjykata Speciale, e ka zanafillën pikërisht tek kjo shumicë që qeveris vendin, tek vullneti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, tek këmbëngulja e grupeve të saj parlamentare dje dhe sot, tek vendimmarrja jonë, më e guximshmja në historinë politike shqiptare të këtyre tre dekadave, për t’i hyrë detit në këmbë, në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët. Të qartë se o i hyjmë ne, o kurrë nuk bëhet. Të bindur se vetëm ne mund t’i hyjmë dhe ta bëjmë”, deklaroi Rama.
Rama u shpreh se kishte qenë i vetëdijshëm për pasojat e kësaj reformë, por dhe i sigurt se kjo përpjekje ishte më e madhja që mund të bëhej për Shqipërinë europiane të fëmijëve.
“Të vetëdijshëm se ky det nuk kalohet pa u lagur vetë dhe madje pa rrezikuar edhe mbytjen nga dallgët e larta, nga lodhja, nga humbja e durimit apo nga të papriturat e rrugës. Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pashmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg. Po ama të sigurtë, si drita e diellit që shohim, se kjo përpjekje është më e madhja që mund të bëjmë për Shqipërinë europiane të fëmijëve tanë, të cilët nuk do të jetojnë më në një vend me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të dobët për të fortët, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara”, tha ai.
“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin. Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie, apo pafajësie”, u shpreh Rama.
Kryeministri e ripërsëriti mesazhin e tij se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me të, as me PS-në, po duhet ta mbajë vetë.
“Më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi, përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë. E prandaj, edhe fati i rrugës së përbashkët është një, i përcaktuar nga e përbashkëta e përpjekjeve tona nën dritën e diellit, ndërsa fatet e bashkudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për njëqind e një arsye, ama njëra ndër të cilat është niveli i rezistencës ndaj tundimit të pasurimit të paligjshëm, në ndërveprimet e panumërta për shkak të detyrës, larg syve të publikut dhe në kontaktet me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë. Afërmendsh nuk është asnjëherë dot e mirë, një ditë kur kjo e vërtetë materializohet, duke marrë fytyrën e bashkudhëtarëve konkretë, sepse ndjesia lënduese, herë e zhgënjimit, herë e disproporcionalitetit, e herë e thjesht befasisë është e fortë, dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe, por në fund, mbetet gjithnjë fakti se të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast. Prandaj po e përsëris edhe një herë sot për të gjithë familjen tonë politike, atë që e kam thënë me fjalë të tjera disa herë më parë, po e kam stërthënë shumë herë, qysh ditën e parë të hyrjes në këtë godinë, në të gjitha mbledhjet e takimet e të gjitha niveleve të qeverisjes, se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë”, theksoi ai.
Kryeministri deklaroi se nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët.
“Ua kam thënë shumë troç, dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve: Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë”, shtoi ai.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancë plenare me 117 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt, deputet i zgjedhur në 2021-shin.
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj nuk ishte i pranishëm në Kuvend.