Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale një shkresë e cila dëshmon, sipas tij, se si funksionon shantazhi mediatik.
Në dokumentin e publikuar nga Kreu i Ekzekutivit, një prej medieve kombëtare në vend rendit arsyet për realizmin e kronikave prej 50 episodesh për promovimin e projekteve të AZHBR-së dhe Ministrisë së Bujqësisë përgjatë 10 muajve si dhe investimet në zonat rurale dhe mbështetjen e fermerëve.
Pikërisht për realizmin e këtyre episodeve, ky televizion kërkon nga AZHBR mbështetjen financiare prej 120 milionë lekësh.
Rama shprehet se” nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) kërkohen 120 milionë lekë për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale”.
“AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj”, thekson Rama krahas dokumentit të publikuar.
Kryeministri nënvizon më tej se : “Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane…”
Në vijim, Rama publikoi një tjetër dokument që tregon opinionin e pamaskuar të medies në fjalë për zhvillimin e fermave me mbështetje nga AZHBR-së.
“Ja edhe maska e medias në fjalë pasi nuk merr lekët e kërkuara me hir, në përpjekjen për t’i marrë me pahir duke helmuar opinionin publik me kronika të mbushura me gjysmë të vërteta (të cilat janë edhe rrenat më të mëdha), e të ambalazhuara me tituj bombastikë të gënjeshtërt… Ja opinioni i pamaskuar i medias në fjalë për zhvillimin e fermave me mbështetje nga AZHBR-së, në letër-kërkesën për 120 milionë lekë që ta ndajë këtë të vërtetë me publikun…”, u shpreh Rama.
Në letrën e publikuar nga kryeministri ndër të tjera thuhet: “Promovimi i turizmit rural të qëndrueshëm synon t’i kthejë zonat rurale në vende ku mund të jetohet dhe të bëhet biznes si dhe me krijimin e mundësive edhe për banorët e këtyre zonave. Me investimet e fermerëve dhe me mbështetjen e AZHBR-së e cila është intensifikuar, është rritur dukshëm edhe numri i fermave të mëdha dhe të specializuara krahasuar me vitet e mëhershme. Gjithashtu ky projekt synon edhe të nxisë investime nga jashtë për të zhvilluar turizmin rural, si edhe prodhimet bujqësore, si dhe përshtatjen me format e reja dixhitale të bujqësisë në zonat rurale”./ATA