Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se PS-së nuk i duhet thjesht një fitore aritmetike në 11 maj, por i duhet një triumf për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian brenda vitit 2027.
Në takim me asambletë socialiste të Kamzës dhe njësive 7 dhe 10, Rama theksoi se “është shumë e rëndësishme që së bashku të ndajmë bindjen se ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e tjera 11 majit është një zgjedhje ku rezultati ka rëndësi historike”.
“Jo vetëm për ne si PS ka shumë rëndësi rezultati, por ku rezultati ka një rëndësi historike për Shqipërinë sepse në 11 maj Shqipëria duhet të marri të gjithë energjinë e nevojshme dhe duhet të pajiset me të gjithë forcën e nevojshme për të kryer procesin e negociatave në BE dhe për ta shfrytëzuar dritaren e hapur të një mundësie historike që është rezultat i përputhjes së rrethanave të brendshme të vendit tonë me rrethanat e Europës”, tha Rama.
Sipas tij, “është një dritare e hapur që ne duhet ta shfytëzojmë për të hyrë para se të mbyllet”.
“Nuk është një dritare e hapur përgjithmonë dhe se na presin ne kur ne të bëhemi gati. Ne kemi qenë gati t’i hapim negociatat i ka rekomanduar Komisioni Europian që bën vlerësimin e detyrave dhe 3 herë rresht ka dalë një shtet ose një tjetë dhe ka thënë, jo. Sot të gjitha shtetet duan të thonë, po, jo se i lindi ndonjë dashuri e befasishme për ne, por se ne kemi besimin dhe respektin që meritojmë të merremi seriozisht”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri shtoi se lufta në Ukrainë, turbullira gjeopolitike dhe rrethanat e përgjithshme kanë krijuar nevojën brenda BE-së që të rritet numri i shteteve dhe BE të përfshijë brenda vetes anëtarë të rinj.
“Kemi vendosur bashkërisht që brenda vitit 2027 do ta mbyllim këtë negociatë, që nëse realizohet është negociimi më i shpejtë në historinë e zgjerimit të BE-së. Nuk ka mundësi që ne të humbasim jo më një vit, por as një muaj”, tha Rama.
Ndaj kryeministri shtoi se nuk ka mundësi që ne të shkojmë në zgjedhje dhe të dalim nga aty me një rezultat që mund të kompromentojë gjithçka.
“Prandaj nuk duhet thjesht një fitore aritmetike e PS-së, duhet një triumf i PS-së. Duhet një fuqi e investuar me votën e shqiptarëve që në 11 maj nuk duhet të mendojmë të parën partinë me logon që do të zgjedhin, por duhet të mendojmë Shqipërinë në tryezën e negociatave, që duhet t’i mbylli këto negociata brenda 2027′”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se janë 1 mijë veta të ulur që bëjnë negociata, ndërkohë që janë 40 persona që merren me këtë punë mes Tiranës e Brukselit çdo javë dhe ndjekin ecurinë e detyrave.
“Gjithë kjo makineri që është ngritur dhe gatishmëria nga ana tjetër nuk duhet të ketë asnjë ndërprerje. Futja në BE është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Është ngritja e dytë e flamurit shqiptar që i jep sovranitetit tre vlera të garantuara njëherë e mirë: lirinë individuale, barazinë para ligjit dhe standardet europiane të bashkëjetesës demokratike. Këto të treja nuk i garanton dot askush, askund veçse nëse është pjesë e asaj familje. Kush hyn në atë familej menjëherë bëhet më i rëndësishëm, më i fortë”, shtoi Rama