Kryeministrit Edi Rama vlerësoi sot se Shqipëria dhe Izraeli janë dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm, ndërsa shprehu bindjen se “kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”.
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në eventin e organizuar nga organizatat hebreje të titulluar “Bridging Nations: A Tribute to Prime Minister Edi Rama at the UN General Assembly”, dedikuar Shqipërisë dhe rolit kryesor të Kryeministrit Edi Rama në promovimin e unitetit midis vendeve të Ballkanit dhe përpjekjet e tij të përkushtuara në mbrojtjen e të drejtave dhe historive të komuniteteve pakicë, përfshirë hebrenjtë.
Rama u shpreh në fjalën e tij se “shqiptarët e njohin si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre”.
“Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan. Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koeanoverior në mes të Europës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”, tha Rama.
“Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre”, vijoi ai.
Rama theksoi se “ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm”.
“U gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë. Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”. Po, shpirti triumfon ngaherë. Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”, shtoi ai.
Kryeministri u ndal te historia e thellë që lidh dy popujt tanë, ku kapitulli më i njohur është Holokausti.
Ai kujtoi se “Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur 20-fish”.
“Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës –fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose një familjeje tjetër dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi. Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e e vogël e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë”, shtoi ai.
“Ndërsa shkruaja këtë fjalë, që e ndjeja po aq një privilegj i veçantë, sa edhe barrë të madhe përgjegjësie, u përpoqa t’i rri besnik traditës hebreje: të nisja me nota disi më të trishta, për ta përmbyllur më pas me nota të gëzueshme shprese e besimi. Por, përpara se të trajtoj çështjet komplekse që më janë “ngarkuar”, më lini të ndalem një moment për të çmuar këtë “Sukkah” që keni ngritur rreth meje sot. Kam një ndjesi jashtëzakonisht të veçantë për marrjen e këtij nderi dhe nuk jam aspak i sigurt se mund ta marr për vete, por jam 100% i sigurt se mundem ta marr si nderim për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, që është treguar e mirë me hebrenjtë qysh në fillim të kohërave. Talmudi thotë: “Çfarë vjen prej zemre shkon drejt e në zemër”. Kjo është ngrohtësia dhe afërsia që ndjej sot thellësisht me këtë përfaqësim të vogël e të mrekullueshëm të komunitetit të madh hebre. Todah rabah të gjithëve ju”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “pa popullin shqiptar, trashëgiminë tonë të artë dhe religjionin e mikpritjes shqiptare, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur”.
“Megjithatë, unë s’jam një udhëheqës tradicional ose, së paku, shpresoj të mos jam bërë i tillë, ndaj më duhet të shtoj me sinqeritet të plotë se, po, jam vërtet i lumtur edhe në nivel personal që marr këtë çmim. Si ithtar i vërtetë i idesë se të jesh udhëheqës nuk duhet të të pengojë të thuash atë që mendon, besoj se Elie Wiesel kishte të drejtë kur thoshte se nuk ka rastësi në historinë e popullit hebre. Prania ime këtu dhe marrëdhënia kohëgjatë midis vendeve tona sigurisht që nuk janë rastësi”, shtoi ai.
Rama nënvizoi fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij.
“Prej këtej e në vazhdim, më lejoni të flas për ne, me shpresën që, siç thotë edhe Rabini i Lartë, Jonathan Sacks: “Kur kalojmë nga politika e “Unit” te politika e “Ne”, rizbulojmë ato të vërteta kundërintuitive që ndryshojnë jetën”. Të vërtetat që një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit, se ai pasurohet kur kujdeset për të varfrit dhe se bëhet i pacenueshëm kur kujdeset për të cenuarit janë absolutisht thelbësore, por do të doja të zbuloja këtu edhe fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij. Përveç çmimit, ajo që më jep krenari sot është ngrohtësia e miqësisë që ndjej këtu mes jush — që, pa asnjë dyshim, është reciproke”, shtoi ai.
Ky, sipas Ramës, ishte edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë.
“Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë, që të mos bjerë pre e përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.