Studentët e Mjekësisë, të cilët këtë vit do të nisin vitin akademik 2023-2024 do t’iu duhen 5 vite që të marrin diplomën pas përfundimit të studimeve.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë.
“Sot dola për të dhënë një mesazh lidhur me një vendim të rëndësishëm të qeverisë sot, që ka të bëjë me studentët e Mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është shumë i qartë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që paguan taksa”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj, për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera, është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari e familje, fëmije e të moshuari për të pasur kujdes shëndetësor”.
Në kushtet, vijoi Rama, kur Gjermania e vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë, me nevojën për burime të freskëta njerëzore që duhet të vijnë nga jashtë dhe kur janë bërë stacioni i ndalesës së fundit për shumë profesionistë dhe për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave, dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap që është hapi më normal dhe më i lehtë i mundshëm.
“Çdo student i Mjekësisë që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë duhet të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është zgjedhja e tyre, nuk është vetëm një zgjedhje. Ndërsa për ata që do të hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë. Për sa i përket marrjes së diplomës nuk ndryshon asgjë, sa i përket të drejtës dhe ushtrimit të profesionit se ajo fillon pas 5 viteve, duhet të bëhet këtu, prandaj paguan populli shqiptar taksa. Mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar, të ikin që ditën e parë”, theksoi Rama.
Por, tha Rama, nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet, që të largohen nëse duan të largohen, por për vitet e mbetura do të duhet të paguajnë një tarifë tjetër, e cila do të përcaktohet nga universiteti sipas ligjit, por që mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student.