Kryeministri Edi Rama uroi sot presidentin e sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Në urimin e tij, Rama e vuri theksin tek e ardhmja dhe mbarësia mes dy vendeve fqinje.
“Urime Presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe mbështetja domethënëse që ai mori nga zgjedhësit u ktheftë në sa më shumë mbarësi për vendin fqinj, me të cilin na lidh pazgjidhshmërisht e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe e Malit të Zi”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Milatoviç, një ekspert ekonomik 36-vjeçar i arsimuar në Perëndim, fitoi balotazhin presidencial në Mal të Zi më 2 prill, duke mundur presidentin pro-perëndimor Milo Gjukanoviç, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se tre dekada në Mal të Zi.
Në një intervistë menjëherë pas fitores së tij, Milatoviq tha se synimi i tij është të zhvillojë më tej marrëdhëniet me të gjitha vendet e Ballkanit dhe gjithashtu se nuk do të tërheqë njohjen e Kosovës. Grupet pro-serbe në Mal të Zi e mbështetën atë për t’u zgjedhur dhe për këtë arsye nga disa qarqe politike pretendohet se Milatoviq është pro-serb.
/Argumentum.al