Kryeministri Rama dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev dolën para kamerave pas takimit kokë më kokë. Në konferencën e përbashkët për mediat, në Pallatin e Brigadave, kryemnistri Edi Rama falënderoi publikisht dhe shprehu mirënjohjen për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në lidhje me zbatimin e ligjit të gjuhëve në këtë shtet.
“Ju jam mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe me një vision largpamës ju çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqednasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht e përmbajtësisht moment historik dhe arsyet më shumë që të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i republikës sonë”, tha kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se “puna e përbashkët që po bëhet, shkëmbimi i ekspertizës, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi na ndihmon jashtëzakonisht shumë kur shkohet drejt pragut të shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian”
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me çfarë po qarkullon në media pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që Rusia ka rritur ndikim e saj në Shqipëri.
Shefi i qeverisë u përgjigj se kjo dihet tashmë dhe nuk është një gjë sekrete. Kreu i ekzekutivit tha se Rusia nuk i do vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Shqipëria ka axhendën e saj kombëtare.
“Rusia nuk është vend tifoz i BE-së i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s’mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet”, tha kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me Zoran Zaev.
Zaev: Në verë mblidhen qeveritë e dy vendeve, pikë e përbashkët kufitare në Qafë-Thanë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur në verë do të ketë takim të qeverisë së tij me atë shqiptare, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama. GJatë konferencës së përbashkët mes tyre mbajtur në Tiranë, Zaev tha se dy qeveritë e kanë obligim të heqin kontrollet e dyfishta në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke bërë vetëm një kontroll të përbashkët në doganën e Qafë-Thanës.
“Takim mes dy qeverive në verë pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, dhe pas zgejdhjeve lokaleve në Shqipëri, institucionet tona do të shfrytëzojnë momentin për obligime të përfunduara mes institucioneve. “One stop shop”, në Qafë-Thanë pikë e përbashkët kufitare, të përgjysmojmë kohën e pritjes së pasagjerëve që tani është e pakëndshme, këtë e kemi obligim ta realizojmë. Do të ketë vetëm një kontroll, e njëjta do të ndodhë edhe për mallrat, ky është hap pozitiv. Qëllimi ynë i përbashkët është integrimi në BE, shmangien e kufijve dhe bashkangjitjen në familjen evropiane, hapat që po cojmë na cojnë drejt kësaj rruge”, tha Zaev.
Zaev i bën apel opozitës shqiptare duke dhënë shembullin e tij: Kurrë nuk dola kundër integrimit të vendit
Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ka marrë shembullin e tij për t’i dhënë një mesazh të qartë opozitës shqiptare, se në asnjë rast nuk duhet të cënojë të ardhmen integruese të vendit në Bashkimin Evropian.
“Unë si Zoran Zaev nuk isha në opozitë para 100 vjetësh” – tha ai -“ janë thjesht 21 muaj më parë kur isha në opozitë, por nuk lejuam të japim përshtypjen para evropianëve se jemi kundër fillimit të bisedimeve të vendit tonë me BE-në. Pa marrë parasysh a jemi opzoitë a jo. Ne jemi miq të gjithë qytetarëve të shqipërisë, dhe i dëshirojmë të mirat popullit shqiptar. Vijmë si miq dhe japim mesazhin paqësor që nëpërmjet dialogut të kenë zgjidhje“, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Skenar maqedonas në Shqipëri?!
“Siç e thash ne ishim opozitë para 21 muajsh, kjo nuk është larg për tu kujtuar se çfarë ndodhi madje të bëjmë paralele me vendin tuaj. Ne jemi miq të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, por në kohën kur unë isha opozitë raportet me SHBA, BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni. Gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por ku flisja me Hahn, Mogerinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që tu jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet.
E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si opozitë. Si mik i Shqipërisë dëshiroj të mirat për këtë vend miqësor, për këtë popull miqësor. Çdo kush ka të drejtën e demonstratave në formë demokratike. Dy vendet tona miqësore është e rëndësishme që të marrin ftesën për fillim të bisedimeve me BE dhe shpresojmë të kemi sukses”, tha Zaev