Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, në News24, për raportin e Dick Marty, prej ku i kërkoi sërish kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të dalë dhe të mbajë një qëndrim publik, raporton “BalkanWeb”.
“Unë thjesht kam kërkuar që kryetari i opozitës të shpjegohet. Në momentin kur jo unë, por çdo shqiptar i arsyeshëm, shikon nga njëra anë dëshmitarin nga Kosova, i njohur si personi që filmoi masakrën, dhe nga ana tjetër Lulzim Bashën, kupton menjëherë kush thotë të vërtetën dhe kush jo. Është shumë e qartë. Mjaft të vësh të dy përballë njëri-tjetrit, të dish historitë e tyre dhe e kupton. Nga njëra anë, personi që nuk ka arsye të sajojë dhimbjen dhe nga ana tjetër Lulzim Bashën, që nuk përballet me faktet, nuk është në gjendje të mbajë kostumin e liderit, është një lider i dobët. Edhe Berisha, për të cilin nuk kam asnjë lloj simpatie, por në fund të fundit ishte një lider që mbante qëndrim”, tha Rama./BW