Është publikuar raporti i “Amnesty International”, ku theksohet se shumë prej qeverive përdorën pandeminë për të forcuar pushtetin e tyre, dhe për të goditur liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Në raportin për Shqipërinë thuhet se qeveria e Edi Ramës ‘kërcënoi me përdorimin e fuqive të jashtëzakonshme për mbylljen e mediave ‘për përhapje paniku’ për Covid-19’.
Amnesty International, Raporti 2020/21 për Shqipërinë:
Shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë së fjalës, dhunë e tepruar policore
Dhuna shtëpiake kundër grave u rrit gjatë mbylljes nga koronavirusi. Kryeministri kërcënoi me përdorimin e fuqive të jashtëzakonshme për mbylljen e mediave ‘për përhapje paniku’ për Covid-19. Romët dhe LGBTI vazhduan të përballen me diskriminim.
Midis 31 marsit e 23 qershorit, Shqipëria devijoi nga detyrimet që rrjedhin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në emër të kufizimit të Covid-19. U morën masa të tepruara për të imponuar mbylljen.
DHUNA KUNDËR GRAVE E VAJZAVE
Dhuna gjinore u përkeqësua gjatë mbylljes. Një OJQ për të drejtat e grave raportoi rritje trefish të telefonatave në linjën e këshillimit për gratë e vajzat gjatë periudhës mars-maj. Abuzimi seksual i një vajze 15-vjeçare nga roja i shkollës së saj dhe tre burra të tjerë shkaktoi zemërim në publik në qershor. Qindra protestuan kundër dhunës gjinore në Tiranë.
LIRIA E SHPREHJES
Në mars, Kryeministri kërcënoi organizatat e medias me mbyllje për ‘përhapje paniku’ në lidhje me Covid-19. Autoritetet tërhoqën një ligj polemizues anti-shpifje që kërcënonte lirinë e medias online.
Në gusht, autoritetet bllokuan Ora News TV në vijim të një hetimi mbi pasuritë e pronarit. Grupi i medias mbeti operacional.
REFUGJATËT, AZILKËRKUESIT DHE MIGRANTËT
Raportuesi i OKB shprehu shqetësim dhe Avokati i Popullit gjeti shkelje serioze të të drejtave të njeriut në ekstradimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar. Harun Çelik, një mësues turk i lidhur me të ashtuquajturën Lëvizja Gülen, kishte aplikuar për azil në Shqipëri.
DISKRIMINIMI
Në prill, aktivistët romë protestuan për diskriminim në shpërndarjen e ndihmës financiare të emergjencës nga ana e qeverisë, e cila nuk mbulonte ata që punon në sektorin informal.
Parlamenti adoptoi amendamente të Ligjit mbi Diskriminimin, duke zgjeruar dukshëm fokusin e grupeve të mbuluara nga mbrojtja ligjore.
KOMUNITETI LGBTI
Anëtarët e komunitetit LGBTI mbetën subjekt diskriminim të përhapur gjerësisht, përfshirë mohimin e së drejtës për partneritet të të njëjtit seks. Urdhri i Psikologëve ua ndaloi anëtarëve të tij të kryenin terapi konvertimi. Ministria e Shëndetësisë ndaloi ndërhyrjet mjekësore te fëmijët e sapolindur interseksualë.
PËRDORIM I TEPRUAR I FORCËS
Aktivistët që protestuan kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë më 17 maj u përballë me forcë policore disproporcionale. Dy gazetarë që mbulonin protestën u sulmuan verbalisht e u goditën nga efektivët e policisë; njëri u ndalua përkohësisht.
Përplasje në rrugë shpërthyen në disa qytetet pas vrasjes së një 25-vjeçari nga një oficer policie për zbatimin e ndalim-qarkullimit për shkak të Covid, më 8 dhjetor. Dy gazetarë që mbulonin protestën u ndaluan e u sulmuan. Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje autoriteteve të tërhiqnin ligjet për kufizimet e lirive në parlament.