Komisioni Europian në progres raport vlerëson se, ulja e stokut të kredive jo-performuese ka përmirësuar stabilitetin e sektorit bankar, si një ndër shtyllat kryesore të mirëfunksionimit të një ekonomie dhe të një shteti në tërësi.
Norma e kredive me probleme mbi totalin e kredisë ra në 11% në fund të 2018-ës, citon raporti, nga 15.6% që ishte në 2017. Pavarësisht se rënia më e madhe vjen si pasojë e heqjes së tyre nga bilanci i bankave, bankat shqiptare kanë arritur të zgjidhin më shumë kredi të këqija nëpërmjet ekzekutimit të kolateralit, se sa në 2017.
Ndër të tjera raporti vlerëson se, Shqipëria është në linjë me standardet ndërkombëtare për sa i përket mbikëqyrjes dhe menaxhimit bankar. Ndërsa krijimi i bursës së parë private (ALSE) që filloi tregtimin e titujve qeveritarë, por financimi i bonove koorporative mbetet jo i zhvilluar”, thotë më tej Komisioni Europian.
“Në tërësi, përfshirja financiare mbetet e ulët, me vetëm 40% të të rriturve dhe 75% të ndërmarrjeve që kanë një llogari bankare”-nënvizon progres-raporti, duke shtuar se Banka e Shqipërisë ka përgatitur një plan për të nxitur përfshirjen financiare, që është shumë e rëndësishme në uljen e informalitetit./atsh