Kontrollit i Lartë të Shtetit ka publikuar raportin pas kontrollit në shtëpinë e fëmijëve shkollorë “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku thuhet se kuota ushqimore e miratuar për ta është dhënë në normë më të ulët duke mos garantuar kështu normat kalorike normale.
Raporti vlerëson se nga stafi i Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve, në kundërshtim me kërkesat e pikës 1 të Udhëzimit nr. 689, datë 02.10.2018 “Për nivelin e kuotave të shpenzimeve për Ushqime, në institucionet publike rezidenciale e komunitare të përkujdesjes shoqërore”. Audituesit nënvizojnë se lidhur me nevojat ditore të fëmijëve për lëndë ushqyese dhe kalori, menuja ushqimore përgatitet për të gjithë fëmijët e institucionit pa dallim grup- moshe, gjinie ose gjendjeve të veçanta. Në hartimin e menusë sipas raportit nuk merr pjese ekipi multidisiplinar, në mospërputhje me kërkesat Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.
“Vlera në lekë e përcaktuara për kuotën ditore për fëmijët nuk i përgjigjet të njëjtës sasi ushqimore që duhet të konsumojnë fëmijët, për shkak të mos respektimit të saj nga institucioni, si dhe mos indeksimit të kuotës ushqimore sipas indeksit të çmimeve të publikuara nga INSTAT.
Për pasojë vlerat e kuotës së ushqyerjes në vitin 2019, vitin 2020 dhe vitin 2021, për muajt e përzgjedhur për auditim, kanë qenë më të ulëta se kuota e miratuar, kjo e fundit përgjegjësi drejtpërdrejt e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, dhe akoma me e ulët për shkak të mos indeksimit të çmimeve, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Niveli i kuotave financiare të shpenzimeve për Ushqime, nuk është i përditësuar, duke qëndruar në vlera të njëjta të kostos ditore për çdo grup moshe të fëmijëve, prej vitit 2018” thuhet në auditim.
Audituesit i janë referuar të dhënave të INSTAT në lidhje me ndryshimet mesatare vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit, për grupin “Ushqime dhe pije alkoolike”, dhe kanë llogaritur se sa duhet të ishin ndryshuar këto kuota çdo vit, për koston ditore për secilën grup moshë, duke konstatuar se:
“Për grup moshën 6-12 vjeç, nga 440 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 487,35 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 47 lekë/ditë.
Për grup moshën 13-15 vjeç, nga 480 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 531,66 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 52 lekë/ditë.
Për grup moshën 16-18 vjeç, nga 500 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 553,81 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 54 lekë në ditë.
Sa më sipër, mos përditësimi i ndryshimeve mesatare vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit nga institucioni i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror, ka ndikuar drejtpërdrejtë në llogaritjen e fondit limit, vlerë e cila nuk jep garanci të jetë përllogaritur saktë dhe në përputhje me nevojat ditore fëmijëve për ushqim duke shpenzuar më pak lekë të vlerës ditore për secilin grup moshe për fëmijë”, thuhet në auditim.