Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese, ka deklaruar se sipas ligjit ndërkombëtar Izraeli nuk mund të pretendojë për të drejtën e vetëmbrojtjes kundër kërcënimeve që vijnë nga territoret që ai ka pushtuar.
Sipas lajmit të gazetës ‘The Australian’, Albanese foli në Klubin Kombëtar të Shtypit Australian në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Gazës.
Albanese theksoi se sipas ligjit ndërkombëtar Izraeli ka kryer “krime lufte për të cilat duhet të jepet llogari”.
Palestinezët, tha ajo, ndodhen përballë me “kërcënimin ekzistencial” më të rëndësishëm, si dhe shtoi se “Izraeli nuk mund të pretendojë për të drejtën e vetëmbrojtjes kundër kërcënimeve që burojnë nga një territor që ai ka pushtuar”.
Pasi theksoi se Izraeli injoron proporcionalitetin në bombardimet e tij të “pamëshirshme” kundrejt Gazës, Albanese më tej kritikoi komunitetin ndërkombëtar për qëndrim pothuajse “plotësisht të paralizuar” përballë kësaj krize.
Albanese tërhoqi vëmendjen se ka një shqetësim goxha të vërtetë se Izraeli “mund të kryejë krim të gjenocidit kundër popullit të Palestinës”.
“OKB-ja po përjeton dështimin më të madh politik dhe humanitar që nga themelimi i saj”, deklaroi ndër të tjera Albanese.
Në fjalën e saj, Albanese theksoi se populli palestinez prej një kohe të gjatë është përballur me “një strukturë që përmban dhunë të tillë si konfiskimi i territoreve dhe zhvendosje me forcë”.
“Edhe para 7 tetorit kryheshin krime lufte. Kur kjo është e përhapur dhe në mënyrë sistematike, kjo nuk është vetëm një krim lufte, por edhe një krim i kryer kundër njerëzimit”, u shpreh ajo.
Më tej, Albanese tha se “Izraeli që nga viti 1967 e deri më tani ka ndërtuar 300 koloni në territorin palestinez të pushtuar, të cilët në vetvete janë një krim lufte”.//AA