I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ka pajtim për mbajtjen e një rundi të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.
Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është kryenegociatori i Kosovës.
Emisari evropian, megjithatë, nuk dha ndonjë datë për takim, por tha se do të ndodhë në ditët në vijim.
Ai tha se me Bislimin diskutoi për një sërë çështjesh, përfshirë hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.
“Ne po ashtu diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullim të automjeteve. Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj”, tha Lajçak.
Lajçak u pyet nga gazetarët nëse është tërhequr letra që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, ia kishte dërguar dhejtorin e vitit të kaluar Bashkimit Evropian. Në atë letër, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Lajçak tha se letra është tërhequr, duke shtuar se ka deklarata kohë pas kohe që nuk po ndihmojnë në këtë drejtim.
“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.
Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.