Reagim mbi artikullin e botuar në Gazetën SOT me titull: “Këshilli i Medias apendiksi i Samir Manes, ja si kërcënojnë me gjyqe gazetën “SOT” shoqatat e paguara nga BE dhe…”
Në një artikull të botuar online në gazetën SOT, ngrihen disa akuza ndaj Këshillit të Medias.
KShM dëshiron të sqarojë publikun që akuzat janë të pabazuara në fakte, artikulli dezinformon dhe keqinformon, dhe në telb përbën një sulm të drejtpërdrejtë nga një media kundër procesit vetërregullues.
- Artikulli në fjalë është prodhuar pas një vendimi të Bordit të Etikës së Këshillit Shqiptar të Medias dhe Aleancës për Media Etike, në lidhje me një ankesë të ardhur ndaj medias Sot.com.al. Me vendim unanim të Bordit, Artikulli i Sot.com.al, objekt ankese u gjet në shkelje të Kodit të Etikës, përkatësisht të Nenit 1. Argumentimi i shkeljeve të etikës në artikull, është si më poshtë:
- Artikulli përmban informacione të paverifikuara dhe të pabazuara në fakte.
- Artikulli është i pabalancuar pasi nuk jepet opinioni i palës së prekur. Nuk vihet re në artikull të jetë pyetur pala e prekur dhe opinioni i saj të jetë reflektuar në artikull.
- Jo vetëm një ekspert i etikës, por dhe një student i gazetarisë mund të verifikojë shkeljet e mësipërme dhe të vlerësojë vendimin e Bordit. Për median Sot.com.al u përdor metodologjia e punës standart në rast ankesash. Media u kontaktua paraprakisht, për t’u njohur me ankesën dhe pretendimin e ankimuesit dhe për të ofruar qendrimin e vet. Pasi media nuk e pranoi ankesën, sipas procedurës, ankesa kaloi në Bordin e Etikës, ku dhe u mor vendimi. Bordi jonë i Etikës nuk funksionon si gjykatë, dhe vendimet e tij për mediat jo-anëtare janë sugjerime. Vendimi i bordit për artikullin e sot.com.al objekt ankese, shprehimisht shkruan: “i sugjerohet medias sot.com.al të fshijë artikullin”.
- KSHM nuk ka kërcënuar me gjyqe median Sot.com.al. Ky është një dezinformim. Më poshtë, faksimile e komunikimit të plotë me median, ku përkundrazi, është media sot.com.al e cila kërcënon KShM me padi në prokurori.
- Akuza e medias Sot.com.al që “oligarku ka tentuar t’i bëjë presion gazetës me një organizatë të quajtur ndryshe Këshilli Medias” dhe “Futja në lojë nga Samir Mane një organizatë anonime që disponon vulën e një shoqate për ti bërë presion gazetës “SOT”” është shpifje e pastër. Stafi ekzekutiv i KShM nuk ka asnjë kontakt, as personal e as të çfarëdo forme tjetër me z. Mane. Ankesa është paraqitur në mënyrë elektronike nga z. Agim Fjolla, që u paraqit në pozicionin “Drejtor i Komunikimit” i Balfin Group. Përveç emaileve në lidhje me ankesën, me z. Agim Fjolla stafi i KShM nuk ka patur asnjë kontakt tjetër, të asnjë forme dhe asnjë njohje paraprake. Siç i është sqaruar me email medias Sot.com.al, ne nuk paragjykojmë askënd, dhe marrim parasysh çdo ankesë që plotëson kriteret sipas rregullores së funksionimit të Bordit të Etikës.
- Në të kundërt të asaj çfarë pretendon sot.com.al, KShM dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali, janë shprehur në mënyrë konseguente kundër kapjes së medias nga oligarkët. Këto deklarata gjenden lehtësisht online. Por pavarësisht qendrimit tonë për një media të lirë e të pakapur, kjo nuk do të thotë që komuniteti i gazetarëve, mediat dhe organizatat e mediave duhet të mbyllin sytë para shkeljeve etike. Lufta për të mbrojtur interesin publik nuk mundet e nuk duhet të justifikojë artikuj jo-etikë. Vetërregullimi është pikërisht kjo: gazetari etike pa ndërhyrjen e shtetit, por të komunitetit.
- Në lidhje me akuzën e medias Sot.com.al që “Këshilli Medias, e cila merr fonde nga taksapagues evropianë” duhet të sqarojmë 2 gjëra:
- Në momentin e botimit të këtij shkrimi, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga jashtë as nga brenda, dhe stafi i vet punon po pa pagesë. Kjo nuk na ka penguar të vazhdojmë të mbajmë funksional mekanizmin e ankesave e të vetërregullimit e as të luftojmë për lirinë e medias.
- Në faqen tonë, ne ekspozojmë logot e partnerëve që na kanë mbështetur në 5 vitet e fundit. Ne jemi krenarë për partneritetin me BE, UNESCO, dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Të mbështetesh nga BE, nuk është as turp e as krim. Madje, është e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë tonë.
- Akuza që “Fondet që ky Këshill i Medias i merr nga evropianët nuk i shpenzon për të krijuar një terren sa më të sigurt për gazetarët, të ngrejë zërin për kushtet dhe presionet në punë, por vendoset në shërbim të interesave të Samir Manes” është një shpifje e pastër. KShM, ka qenë në ballë të luftës kundër paketës anti-shpifje. Kshm dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali janë shprehur e shprehen publikisht por dhe në takime të vazhdueshme me aktorët ndërkombëtarë në mbrojtje të lirisë së medias e të gazetarëve dhe kundër kapjes së mediave nga koorporatat, oligarkët dhe politikanët e pasur. Për këtë mjafton të bësh një search të thjeshtë në Google. Por, media Sot.com.al ngatërron mbrojtjen e lirisë së informimit dhe të gazetarëve me gazetarinë jo etike. Liri e medias nuk do të thotë papërgjegjshmëri, gazetari etike dhe shpifje. Vetërregullimi është procesi që i detyron mediat të ruajnë etikën e profesionalizmit, jo përmes ndërhyrjes së shtetit,por përmes mekanizmave të vendosur nga komuniteti i gazetarëve dhe i medieve. Bordi ynë i Etikës është një bord i zgjedhur nga Asambleja e përvitshme e Aleancës për Media Etike, e përbërë nga 38 media (në momentin që po shkruhet ky reagim). Pra, Bordi jonë i Etikës jo vetëm është i përbërë nga njerëz me integritet, profesionalë e të respektuar, por është i VOTUAR nga një organizatë me 38 media. (Media sot.com.al nuk ka pranuar të jetë pjesë e AME.) Kjo quhet “Vetërregullim”, dhe është alternativa e vetme ndaj rregullimit prej shtetit. KSHM mbron do të mbrojë çdo media e çdo gazetar, përfshirë dhe sot.com.al nga çdo cënim i lirisë, por nuk do të përkrahë e as mbrojë artikuj joprofesionalë dhe joetikë.
- Në lidhje me tentativën e Sot.com.al për ta quajtur KSHM “një organizatë anonime”, duhet të themi që KSHM është anëtare krenare e AIPCE – Aleancës Së Këshillave të Pavarur të Shtypit në Europë, dhe i vetmi organizëm vetërregullimi në Shqipëri i njohur nga organizatat ndërkombëtare dhe BE. Një vizitë në website-n tonë dhe të Aleancës për Media Etike, do i mundësonte medias Sot.com.al të informohej që Bordi jonë i etikës ka mbështetjen e 38 mediave, anëtare të Aleancës për Media Etike, që KSHM e operon.
- Përmendja e z. Shkullaku në shkrim është më e pakta një akt joprofesionalizmi, për të mos thënë një tentativë për të keqinformuar me qëllim. Z. Shkullaku është thjesht njëri 36 themeluesit e KShM, dhe nuk është aspak i angazhuar në punën e përditshme të KShM. Lapsi.al, e bashkëdrejtuar nga z. Shkullaku, është vetëm një prej 38 mediave anëtare të AME, qëzgjedh Bordin e Etikës. Një vizitë në website-n tonë, do i kish mundësuar medias Sot.com.al që të mësonte se vendimet për ankesat i merr një Bord prej 5 anëtarësh, ku z. Shkullaku nuk bën pjesë. Sa për akuzën për KSHM “pas të cilës fshihen gazetarë me vila pranë Samir Manes, ish deputetë dhe rrogëtarë pranë institucioneve të Edi Ramës”, është thjesht absurde, dhe është i paqartë labirinthi i fantazive të artikullshkruesit.
- Në tërësi artikulli pa emër në sot.com.al synon të diskretitojë procesin e vetërregullimit. Kjo është në linjë pikërisht me qeverinë shqiptare e cila po përpiqet prej kohësh të pretendojë që vetërregullimi nuk ekziston ose nuk funksionon në Shqipëri, dhe që vazhdon përpjekjet për të futur mekanizma rregulluatorë në tregun e mediave online, ku për etikën të mos vendosë Bordi i Etikës i AME-s, i zgjedhur nga 38 media, por njerëz anonimë në zyrat e shtetit.
Në emër të KSHM,
Kryetari
Koloreto Cukali
/Argumentum.al