Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka akuzuar sot homologen e tij shqiptare, znj. Olta Xhaçka pas reagimit të Ministrisë së Jashtme shqiptare për barrikadat serbe në veri të Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të vazhdojë me provokime dhe të sulmojë brutalisht Serbinë, sipas ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç.
”Ministrja nuk i ka kujtuar Kurtit se ka një detyrim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet e tjera relevante, detyrimin për formimin e Unionit të Komunave Serbe dhe për të mos dërguar njësitë e armatosura shqiptare në veri dhe për të mos arrestuar serbët vetëm se janë serbë”, shtoi Daçiç.
”Barrikadat janë një rezistencë politike paqësore kundër terrorit ndaj popullit serb, të cilin e bën Albin Kurti”, deklaroi ministri i Jashtëm serb.
Kujtojme se dje ( 27.12) ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka në një reagim në rrjetin e saj social, Twitter Xhaçka shkruan se këto skena të rikujtojnë ditët e errëta të viteve 90 në periudhën e regjimit jugosllav. “Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, thekson Xhaçka në rrjetin social.
“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve. Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990, të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë, bashkë me ish-Jugosllavinë që shkoi e vate. Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë. Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, lexohet në postimin e ministres Xhaçka.
/Argumentum.al