NATO ok, por me apo pa Nenin 5? Kallas kërkon reforma!
REAL POLITIK NR. 105
17 Mars – 10 Prill 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
Dr. Jorgji KOTE
1.Bomba bërthamore tarifore amerikane!
Kështu e cilësojnë personalitete botërore dhe amerikane vendosjen e tarifave nga Trumpi. Alarmin po e japin dhe ekspertë të shquar ekonomike dhe mbështetës të Trump, si Elon Musk. Ish Kryeekonomisti i FMN-së, Profesori i shquar i Harvardit, Kenneth Rogoff thotë se “ ky është eksperimenti më i keq ekonomik pas Luftës së II Botërore”. Ndërsa miliarderi Bill Ackman, Kryemenaxheri i Fondeve të Investimeve amerikane dhe mbështetës financiar i Trump thotë se “me këto tarifa Trump po shkon drejt një “lufte atomike” me çdo vend të botës, se ky është gabimi më i madh që vjen nga një arimetikë e keqe politike”.
Ca më tepër kur kjo çështje mund të zgjidhej, si deri tani në forumet ekonomike ndërkombëtare dhe posaçërisht në Organizatën Botërore të Tregtisë ( OBT) me seli në Gjenevë e krijuar qysh në vitin 1947 me nismën dhe mbështetjen amerikane me 166 vende anëtare.
Sipas ekspertëve, të tre synimet kryesore të Trump me këto tarifa do të dështojnë, sepse “ balancimi absolut i eksport-importit amerikan me çdo vend është pa kuptim, se ndryshe ajo nuk do të përfitonte nga ndarja e punës”. Së dyti, tarifat nuk do të nxitin prodhimin vendas, sepse në kushtet e një industrie të dobësuar, ai do të tkurret dhe do të bjerë më tej. Edhe investitorët e huaj do të ngurojnë të shkojnë në SHBA për shkak të paqartësive dhe situatave të paparashikueshme atje.
Ndërsa sipas ekspertes Samira Sulan ” Nuk është as gabim dhe as problem që SHBA i ka importet më të mëdha se eksportet; kjo tregon se ajo ka aftësi paguese, vlera dhe investime kapitale të mjaftueshme”.
Ja pse tarifat e vendosura ditët e fundit kanë shtangur dhe vetë fansat e Trumpit, adhuruesit e tij, kongresmenë dhe senatorë republikanë dhe ekspertët më të shquar të së drejtës ndërkombëtare tregtare, sepse janë pa kuptim dhe me pasoja të rënda për ekonominë botërore dhe për vetë SHBA-të, janë “ fundi i globalizmit” siç pohon Prof. Veronika Grimn.
Mirëpo tani kjo është fakt i kryer dhe pas Kinës, edhe vende të tjera si Japonia, Gjermania, etj kanë paralajmëruar kundërmasat e tyre tarifore bashkë me forma të tjera – bojkot të mallrave dhe shërbimeve amerikane, ulje të investimeve të huaja në SHBA për shkak të pasigurive të vazhdueshme, rritje të çmimeve dhe inflacionit ose “ stagnacion”, shtrenjtimin e kostos së jetesës dhe për pasojë, shkeljen e premtimeve nga Presidenti Trump; gjithashtu, kjo embargo mund të vijojë, siç dhe ka nisur, me largimin e turistëve nga Amerika, për të mos folur për dëmet e mëdha të imazhit mbi SHBA, si kampione e demokracisë, e globalizmit dhe tregtisë së lirë.
Për pasojë, tarifat amerikane jo vetëm nuk do të jenë “ çlirimi i dytë”, por ato mund të kthehen në një bumerang apo dhe vetëvrasje politike, ekonomike dhe financiare për SHBA-të. Shenjat po shihen te krisjet dhe “tërmetet“ në bursat botërore të aksioneve dhe të mallrave, rritja e mundësisë për recesion ekonomik, e cila sipas sondazheve të kompanisë së mirënjohur ndërkombëtare Gold& Sachs është rritur nga 20 në 35 për qind, etj. Ndaj pezullimi i tyre tremujor më 9 Prill, me përjashtim të Kinës u mirëprit kudo.
2.Europa kundërpërgjigjet! Kjo u pa qartë dhe në takimin e ministrave të financave të BE-së më 7 – 8 Prill. Përballë tarifave më të reja të Presidentit Trump më 2 Prill, ata u shprehën në favor të dialogut; madje ofruan zero tarifa për mallat industriale. Por, nëse kjo nuk do të arrihet, atëhere BE-ja do të kundërpërgjigjet me masat reciproke si tregu më i madh ekonomik në botë me efekte dhe për vetë SHBA-të. Nga ana tjetër, BE-ja, siç dhe ka nisur, do të ndërtojë një paradigmë të re të tregtisë botërore dhe aleanca të reja ekonomike me Britaninë, Indinë, Kinën, Japoninë, etj. Gjithashtu, ajo po nxiton të përfundojë marrvëshje të tregtisë së lirë me vendet e Azisë dhe Amerikës Latine.

Natyrisht kjo gjendje është tejet e rëndë për BE-në, pas COVID 19, pasojave të luftës në Ukrainë dhe tarifat e Presidentit Trump.
Mirëpo, siç ka thënë Jean Monnet, Europa forcohet duke kapërcyer kriza dhe shumatore e zgjidhjeve të tyre”.
3.NATO ok, por me apo pa Nenin 5?
Më 3 – 4 Prill, ministrat e Jashtëm të NATO-s u mblodhën në Bruksel ku Sekretari i Shtetit Rubio u mundua të qetësonte kolegët me garancitë amerikane për sigurinë europiane dhe se SHBA-të nuk tërhiqen nga NATO. Mirëpo prapë kjo nuk e qetësoi Europën. Sepse problemi nuk është thjesht NATO dhe të jetë apo të mos jetë Amerika aty. Vendimtare është nëse SHBA do të zbatojë Nenin 5 për mbrojtjen kolektive nëse do të sulmohet një vend anëtar i NATO-s. Dhe jo thjesht që SHBA-të mjaftohen duke dërguar atje disa trupa dhe avionë dhe “ u lamë”, por te përgjegjësia madhore strategjike amerikane për të mbrojtur Europën aleate. Mirëpo Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Rubio nuk kanë përgjigje të qartë, të plotë dhe të besueshme. Ca më keq Akoma, SHBA-të nuk po bëjnë më dallim midis mikut dhe armikut, madje këtë të fundit po e “marrim me të mire”, ndërsa mikut i tregojnë derën, siç ndodhi me Presidentin Zelenski.

4. Kallas kërkon reforma!
Më 8 Prill, Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas ndaloi në Tiranë gjatë turit të saj të parë ballkanik. Në takimin me Kryeministrin Rama dhe në Konferencën e tyre të shtypit, ra në sy se krahasuar me paraardhësit, ajo ishte më e kursyer në komplimenta dhe përgëzime. Lidhur me objektivin Shqipëria në BE 2030, ajo e pranoi, por ndryshe nga propaganda qeveritare ajo nënvizoi se kjo kërkon shumë punë, reforma dhe plot “ detyra shtëpie”. Kallas e bëri të qartë se për këtë nuk mjafton vetëm vota për PS-në, por duhet përfshirja e gjithë forcave politike, shoqërisë civile, etj.

Ky ishte mesazhi i duhur nga BE-ja. Sepse 2030 duket se është marrë si e mirëqenë nga pushtetarët tanë, duke e reduktuar si çështje vote dhe pasaporte, duke e shoqëruar me “karamele dhe tollumbace” zgjedhore! Mirëpo, nëse puna do të ishte për votat për parti, atëhere ne fare mirë ia jepnim ato PS-së dhe anëtarësimi në BE ishte “punë e mbaruar”. Por “BE 2030” nuk e realizon dot një parti e vetme pa pëfshirjen e të tjerëve, sidomos të opozitës, sepse vërtet në BE nuk do të hyjë vetëm qeveria dhe diplomacia, por gjithë Shqipëria!
© 2025 Argumentum