Realpolitik flash
Në numrin e tretë të kësaj Rubrike unikale të Argumentum, Dr. Jorgji KOTE jep fare shkurt thelbin e 6 ngjarjeve kryesore diplomatike në periudhën 17 SHKURT – 01 Mars
***
15 Shkurt: Richard Grenell, i Dërguari i Presidentit Trump për dialogun Prishtinë – Beograd u caktua drejtor i përkohshëm i 16 agjencive të intelegjencës së brendshme. Grenell do të vazhdojë në Berlin si Ambasador dhe i Dërguar për dialogun Prishtinë – Beograd, pasi brenda pak muajsh, sapo ta miratojë Senati do të fillojë si i përhershëm në atë post një tjetër besnik i sapoemëruar i Presidentit Trump. Ky është lajm i mirë, sepse misioni i Grenell është vështirësuar për shkak të situatës së koklavitur Beograd – Prishtinë dhe tani me prirjet separatiste të serbëve në Bosnie.
Në fakt, do të ishte më efektive që SHBA të kishin vetëm një të Dërguar të Posaçëm me kohë të plotë në terren, se sa dy të tillë me kohë të pjesshme si sot.
19 Shkurt: Josep Borrrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së i ka propozuar për miratim Këshillit të BE-së që do të mblidhet më 25 Mars të Dërguarin e tij për dialogun Prishtinë – Beograd, Ministrin e Jashtëm slovak, Miroslav Lajçak. Por qysh tani janë shprehur zëra mosbesues; kryesisht sepse si vetë spanjolli Borrell, dhe Lajçak vjen nga Slovakia që nuk ka gjasa ta njohë Kosovën; madje me Çekinë kanë lobuar fort në favor të Serbisë, ku Lajçak ka shërbyer dhe si Ambasador. Kështu, besueshmëria e Lajçak, kyçi i suksesit në një mision të tillë delikat lë shumë për të dëshiruar.
Po, Lajçak ka qenë i dërguar i BE-së për Bosnien, flet dhe serbisht, nuk ka shkëlqyer. Ka kandidatë të spikatur; por ja që BE nuk do të heqë dorë nga animi ndaj Serbisë, edhe pse kjo e fundit qëndron “në dy karrike”.
20 – 21 Shkurt: Samiti i Jashtëzakonshëm i BE-së në Bruksel për Buxhetin 2021 – 2027; Nuk arriti asnjë rezultat dhe do të mblidhet sërish në Mars për aspektin më jetik, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë as për thellim dhe as për zgjerim të BE-së .Ka papajtueshmëri të mëdha ndërmjet “ katër dorështrënguarve” dhe 17 “ Miqve të Kohezionit”, Francës dhe Gjermanisë. Të parët – Suedia, Holanda, Austria dhe Danimarka, kontributorët më të mëdhenj për frymë, bashkë me Europarlamentin duan që secili vend të japë 1 për qind të GDP-së së tij. Ndërsa të tjerët që janë kryesisht përfitues duan 1,3 për qind. Propozimi kompromis i Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që nuk u pranua ishte për 1,074 për qind, me nje hendek prej 300 miliard Euro.
Ky bllokim vjen pas “ gropës” së madhe që la Britania e Madhe prej 75 Miliard Euro, nevojave të shtuara për klimën, sigurinë, mbrojtjen, bujqësinë, etj. Këto përplasje dhe vështirësi të vazhdueshme financiare dëshmojnë se BE rrezikon të humbasë statusin e saj të njohur si “ gjigand ekonomik”; ndërkohë që, megjithë projektet dhe premtimet ka mbetur “xhuxhmaxhuxh politik”.
25 Shkurt: Vizitë zyrtare e Kryeministrit/Ministër i Jashtëm Edi Rama në Moskë, si Kryetar i Radhës i OSBE-së. E para e këtij lloji pas 25 vitesh dhe ndër fare të paktat në çdo nivel. Për vetë peshën e vendit tonë nuk mund të pritej gjë lidhur me zbutjen e ca më pak zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku dhe fuqive të mëdha perendimore “ u ka ngecur sharra në gozhdë” megjithë samitet dhe proceset në Minsk, Normandi, Paris dhe gjetkë. Kjo për shkak të pozicioneve të papajtueshme dhe akuzave të ndërsjella Rusi – Ukrainë. Ndërsa, në planin dypalësh ishte rast i mirë për t’i dhënë një shtysë sado të vogël marrëdhënieve me Rusinë, veç atyre ekonomike dhe tregtare të prekura nga sansionet ndaj saj. Pavarësisht qëndrimeve dhe problematikës ruse dhe në Ballkan, nuk ka pse të mos ketë projekte dhe veprimtari artistike, kulturore, akademike, shkencore, etj, siç veprojnë dhe vendet e tjera, madje antare të BE e të NATO-s. Diplomacia mund të luajë një rol shumë më të madh, duke filluar nga konsultimet dypalëshe etj.
Më serioze duhej të ishte përgatitja e palës sonë në atë mision të vështirë, përballë një “peshe” super të rëndë të diplomacisë ruse e botërore, si Sergey Lavrov; më jetëgjati në botë si Ministër i Jashtëm me 16 vjet, i vetmi si diplomat karriere me përvojë 45 vjeçare, 10 vjet Shef i Përfaqësisë ruse në OKB në Nju Njork, etj. “ Daljes së gabuar “ të Ramës në atë parket diplomatik, kur foli për mungesën e kontakteve dhe komunikimeve nga koha e Stalinit, Lavrov iu përgjigj më “ dy kosha” nga distanca, duke i përmendur vizitën e tij në Tiranë më 2004 dhe nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit që nuk u ratifikua nga qeveria shqiptare. Madje, e korrigjoi Ramën kur i tha se atë traktat e kishte nënshkruar me K. Islamin dhe jo me Lulzim Bashën!
27 Shkurt, Kryeministri Albin Kurti njoftoi heqjen e pjesshme të taksave ndaj mallrave serbe dhe bosnjake, fillimisht mbi lëndët e para dhe në vartësi të reagimeve serbe totalisht deri në qershor. Veprim realist dhe i mirëpritur, shenjë e vullnetit pozitiv të qeverisë së re për të hyrë në dialog me Serbinë; por dhe kusht e premisë që dhe Serbia të japë një shenjë sado të vogël pozitive ndaj Kosovës. Me të drejtë BE dhe Gjermania e përshëndetën, kurse Grenell e quajti “ gjysmake” duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe totale.
Ky nxitim i tij mund të shpjegohet me synimin amerikan për përfundimin e Marrëveshjes Prishtinë – Beograd, në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA; mirëpo, kjo është tejet e vështirë për të mos thënë e pamundur aq shpejt. Veç të tjerash, deri në Maj serbët do të jenë me procedurat e qeverisë së re pas zgjedhjeve të muajit Prill; e vetmja mundësi mbetet që Grenell t’u paraqesë një projekt të dyja palëve sipas parimit “ merre ose lere”. Mirëpo, në lojë, veç BE-së, po hyn dhe Rusia, e cila veç ndonjë “ yçkële” tjetër, do të kërkojë miratimin nga KS i OKB-së; kësisoj, marrëveshja e shumëpritur mund të kthehej në një “ mollë sherri” ndërmjet disa aktorëve ndërkombëtarë, duke e shtyrë më tej procesin.
29 Shkurt: Në prani të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo u nënshkrua në Doha Marrëveshja për largimin brenda 14 muajve të ardhshëm të gjithë trupave amerikane dhe të huaja nga Afganistani dhe ndërprerja e luftimeve nga Talibanët; këta të fundit nuk do të strehojnë forca islamiste në pjesët e kontrolluara prej tyre. Kjo marrëveshje shënon dështimin e NATO-s në Afganistan, pas rreth 20 vite luftimesh.
Në këtë dështim patën ndikimin e tyre dhe Rusia, Kina, India dhe Pakistani, të cilat nuk e duan praninë e NATO-s atje. Nëse Talibanët do ta mbajnë fjalën, askush nuk mund ta verë dorën në zjarr, ndaj kjo mbetet për t’u parë
/argumentum.al/
© Argumentum.