BE e re me sfida të vjetra! Komunitet ambulant! Xhirobosh!
REAL POLITIK NR. 99
1 – 15 NENTOR 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Trumpi tronditi politikën botërore me fitoren e tij të paparashikuar, të bujshme dhe shumëdimensionale! Nxorri ”jashtë loje” median, sondazhet, analistët dhe yjet e hollivudit! Me diferencë të madhe votash popullore, me 312 vota të sigurta në Kolegjin Zgjedhor nga 270 të nevojshme; pushtoi Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe të 7 shtetet e lëkundura! Ky është komponenti i parë madhor që tregon pse dhe si Trump tronditi politikën amerikane dhe atë planetare. Një fitore që ”nxorri zbuluar” Presidentin dhe Zv.presidenten Biden/Harris dhe demokratët. Këta të fundit, në vend të qetësohen dhe të bëjnë analizat e rastit me gjakftohtësi dhe realizëm, po e kërkojnë fajin te të tjerët, deri te Holivudi dhe Taylor Swift! Sigurisht tronditja më e madhe politike trumpiane vjen se ajo do të sjellë një paradigmë të re politike dhe diplomatike mbasi Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet dhe organizatat e mëdha ndërkombëtare kanë filluar llogaritjet dhe mbi atë bazë hartimin dhe miratimin e strategjive përkatëse politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake: BE-ja dhe NATO me Shtetet Anëtare, Kina, Rusia, BRICS, OKB-ja dhe filialet e saj që siç dihet nuk është se Trump i ka shumë për zemër. Ka plot pasiguri, paqartësi dhe frikë. Gjithsesi, për të shmangur abuzimet e rastit, duhet pritur ende deri në janar të paktën, sa të krijohet gjithë ekipi dhe të jenë paraqitur dokumentat përkatëse strategjike të qeverisë së Presidentit Trump. Ndaj, pa ngut dhe nxitim!
2. Komunitet ambulant ose lëvizës, kështu është katandisur Komuniteti Politik Europian( KPE) i lançuar me bujë të madhe mbi 2 vjet më parë nga Presidenti francez Macron. Nga premtimet e bujshme, vetëm 5 samite, më i fundit në Budapest më 7 nëntor dhe tjetri në Tiranë vitin e ardhshëm. Pa seli, pa adresë, pa struktura drejtuese, pa taban, pa program dhe mision, pa asnjë vendim, pa një komunikatë shtypi dhe plot ” Pa” të tjera. Dhe po qe se do të vijojë kështu, siç ”duken dhe bathët”, atëhere do të vërtetohen parashikimet e analistëve që KPE-ja të kthehet në një organizatë qeveritare në nivel ministrash. Ose do të jetë shumë më tepër një komunitet ambulant ose lëvizës, me një tur ” eskursionesh tematike dhe turistike” europiane, kryesisht me ” talk and eating” apo forum diplomatik i nivelit më të lartë por me ndikimin, jehonën më të ulët politike, diplomatike dhe publike.
3. BE e re me sfida të vjetra! Nga 4 – 12 Nëntor, në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg u zhvilluan seancat dëgjimore, ku 26 komisionerët e lartë të BE-së të emëruar nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen paraqiten programet e tyre dhe iu përgjigjen qindra pyetjeve të Eurodeputetëve. Gjithçka shkoi mirë, dmth pa ndonjë kthim ose prapsim. Kështuqë më 1 Dhjetor, më në fund, Komisioni Europian do të nisë mandatin e tij të ri 5 vjeçar, me shumicën fytyra të reja por dhe disa të vjetra, duke përfshirë Presidenten e tij bashkë me Europarlamentin dhe Këshillin e ri Europian. Ndaj flitet për një Europë me drejtues të rinj, me programe dhe premtime të reja. Por gjithsesi bien në sy, madje ulërasin për zgjidhje idetë, sfidat dhe problemet e trashëguara nga e kaluara e afërt dhe të parealizuara nga ekipet e mëparshme të BE-së. Veçse tani ” zullumet” janë trashur dhe më shumë; ca më keq akoma, sepse në krye të Shtëpië së Bardhë nuk do të jetë më një Euro-Atlantist i bindur si Presidenti Biden. Ndërkohë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës po hyn në vitin e saj të katërt me shumë të panjohura dhe rreziqe, ndërsa kriza në Lindjen e Mesme vazhdon të përkeqësohet dhe përshkallëzohet pa asnjë të ardhme paqeje. As Balkani 12 vite mbas fillimit të dialogut Serbi – Kosovë të lehtësuar nga BE-ja nuk po gjen qetësi, mes rreziqesh dhe më të mëdha. Zgjerimi Europian po mbahet me shpresa dhe premtime euforike dhe larg realiteteve tanimë me objektiv jo zyrtar por indikativ vitin 2030; ndoshta pa e kuptuar se vetëm nevojat gjeopolitike nuk i japin dot drejtim dhe zgjidhje, ca më tepër kur të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, megjithë arritjet, sërish ndeshen me problematika të nxehta. Ndërkohë, Franca mezi po ”mbahet në këmbë me paterica”, ndërsa Gjermania do të shkojë në kutitë e votimit para kohe më 23 Shkurt 2025, me pasiguri për koalicionin e ri qeveritar që do të dojë ndoshta muaj të tërë. Kur ekstremi i djathtë synon të zgjerojë gjeografinë politike mbas Italisë, Holandës, Austrisë dhe Suedisë dhe në Francë, Gjermani, Spanjë dhe gjetkë.
4. Xhiroboshe janë në fakt ecejaket drejt Brukselit të kryenegociatorëve të dialogut Prishtinë – Beograd. Plot deklarime, pohime dhe premtime, por tamam si xhiro bosh. E kemi përmendur dhe më parë se ai dialog është vërtet « i vdekur por i pakallur ». Ndaj lëvizjet e tanishme janë sa për të kaluar kohën, për të justifikuar pagën e lartë të Lajçakut dhe për të mbajtur status kuonë e rastit. Asgjë më shumë deri sa të sistemohen në zyrat e tyre drejtuesit dhe ndërmjetësuesit e rinj në Uashington dhe në Bruksel, të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë më 9 shkurt dhe në Gjermani më 23 shkurt. Dhe sa të përcaktohet strategjia e re e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Çka praktikisht i bie të jetë gati nga mesi i vitit 2025, edhe pse vështirë të ketë ndonjë ndryshim thelbësor dhe ca më pak ndonjë « breakthrough ».
Ndaj deri atëhere politika në Kosovë dhe udhëheqësia e saj duhet të reflektojnë, të përpunojnë versione dhe alternativa të ndyshme se si të dalin sa më shpejt dhe « pa u lagur » nga ngërçi i tanishëm. Çdo hap i hedhur me kujdes dhe në bashkërendim me aleatët tanë perendimorë do ta ndihmojë Prishtinën zyrtare në heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, shtimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare që kanë mbetur në vend numëro! Vetëm kështu Kosova mund të bëhet shtet vërtet funksional, në begati, siguri, dhe demokraci të qendrueshme. Boll me moralizime dhe parime jashtë realiteteve të politikës dhe diplomacisë botërore, ca më tepër kur ndryshe nga 15 vite më parë, Kosova nuk është më në krye të axhendës ndërkombëtare. Sot kjo axhendë është plot e përplot dhe me disa pika të nxehta që kanë përparësi. Ndaj, politika në Prishtinë duhet të tentojë të bëhet pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit, që ta tregojnë me gisht, qoftë dhe kur nuk ka faj.
© 2024 Argumentum