Jo si muzika e Nastradinit!! Nëse do paqe, përgatitu për luftë! Zonja BASSO na nxjorri Bojën! Zelenski në Tiranë! Samit për samit!
REALPOLITIK FLASH NR. 86
19 – 29 SHKURT 2024
Mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.Jo si muzika e Nastradinit! Më 20 Shkurt, Kryeministri Rama ishte i ftuar nderi në Ankara ku u prit me pompë dhe me disa marrëveshje të nënshkruara me Presidentin Erdogan. Vizitë tejet e rëndësishme mbas një farë ftohjeje, për shkak të anemisë lidhur me dorëzimin e gjylenistëve. Kryediplomati Fidan Hakani me vizitën në Tranë para disa kohësh e kishte shtruar trasenë diplomatike. Mesazhi ishte se koha nuk pret më! Gjë e mirë të kesh aleat Turqinë në këto situata të turbullta gjeopolitike. Vetëm kujdes, se ndonjëherë ajo është si ”muzika e Nastradinit” që i dëgjohet më vonë avazi”. Sidomos lidhur me fatin e gjylenistëve të mbetur dhe Komitetin Shtetëror të Myslimanëve, ku kanë nisur ”krisjet” e para. Le të shpresojmë se kjo vizitë do të jetë për hajër.
2. Nëse do paqe, përgatitu për luftë ! Më 24 Shkurt u përkujtua dy vjetori i agresionit rus ndaj Ukrainës. Më këtë rast pati shumë analiza, komente, parashikime, takime, samite, ku ra në sy Takimi i 20 liderëve perendimorë në Paris të ftuar nga Macron më 26 Shkurt, G-20 dhe G-7 me vendosmërinë për të mbështetur Ukrainën sa të jetë e nevojshme. Në të gjitha këto raste, emëruesi i përbashkët është ajo që tha Kancelari gjerman Scholz në Munih më 19 Shkurt se « pa siguri gjithçka tjetër është hiç ». Për rrjedhojë, tanimë po kërkohet « diplomacia e luftës » Kjo ishte dhe synimi i pohimit kundrathënës të Presidentit Macron, se as ndërhyrja me trupa tokësore në Ukrainë nuk përjashtohet në të ardhmen, në interes të kësaj fitoreve. Edhe pse u kundërshtua nga NATO dhe SHBA, sepse kjo do të thotë luftë e hapur dhe me NATO-n ! Në kushtet kur Putini kërcënon fitore pa kusht dhe shkatërrim total të Ukrainës, nuk ka më vend për konferenca dhe propozime për paqe. Përkundrazi, SHBA-të dhe BE-ja duhet siç dhe kanë nisur të intensifikojnë demarshet dhe përpjekjet për t’i treguar « dhëmbët dhe muskujt » Putinit me vendosmërinë për të bërë gjithçka për fitoren mbi agresorin rus. Vetëm kjo fitore mund të çelë rrugën për diplomacinë klasike dhe të paqes, për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve, ama si fitimtarë, duke diktuar vullnetin e fituesit. Siç kanë pohuar gjatë këtyre ditëve shumë historianë dhe strategë ushtarakë, nëse Europa dhe Gjermania do të sulmohen në vitet e ardhëshme nga Rusia, nuk ka garanci për fitore, mbasi Europës i duhen 10 – 15 vjet të përgatitet për luftë; rekrutimi, stërvitja, ndërtimi i bunkerëve, rivenia në punë e fabrikave të armatimit, etj.
3. Zonja BASSO na nxjorri bojën! Vërtet kështu ndodhi më 26 Shkurt në Samitin e 10 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH) me 6 liderët e Ballkanit Perendimor në Londër. Dihet tashmë roli i BERZHIT në rajonin tonë me mbi 18 miliard Euro investime në vitet e fundit. Takimi vjetor është bërë një rutinë tanimë, ku më tepër liderët bëjnë marketing politik dhe publik e sa diskutojnë konkretisht për projekte. Highlightet e këtij viti ishin pohimet e Ramës për ndryshimet e mëdha në vendin tonë dhe pohimi i kryeministres serbe se demek Kosova është pjesë e Serbisë, të cilën e hodhi poshtë me dinjitet Kryeministri Kurti. Gjithsesi këtë radhë « vulën » Samitit ia vuri mikpritësja, Presidentja e BERZHIT, zonja BASSO; madje ajo ia « nxorri bojën » propagandës sonë. Tamam kur ne pretendojmë se na takon të jemi në BE por « Brukseli nuk po dërgon nusen », Basso deklaroi se Shqipërisë dhe vendeve të rajonit do t’i duhen deri në 70, ndoshta më shumë vite për të mbushur hendeqet me Europën në fushat më jetike. Kjo i la në hije të gjitha deklarimet e tjera. Shkurt hesapi, Zonja Basso tregoi se jemi mirë nga jashtë, por keq nga brenda ! Mirëpo, vetëm gjeopolitika, sado e suksesshme nuk të ngop, madje pa qeverisjen e mirë ajo është pesë me hiç!
4. Zelenski në Tiranë në të parin Samit të Europës Juglindore në Tiranë më 28 Shkurt! Me rëndësi jo thjesht për imazhin e vendit dhe rajonit, por si mesazh modest dhe simbolik, se nuk kemi më shumë këllqe, që vendet e Balkanit Perendimor janë me Ukrainën kundër agresorit rus, integrimin në BE dhe NATO. Komentet, hamendësimet dhe parashikimet mbi këtë ngjarje janë të shumta. Kjo dhe për faktin se në diplomaci gjërat asnjëherë nuk thuhen copë, pôr nënkuptohen ose i lihen kohës; bashkë me deklaratat e përbashkëta ato krijojnë terrenin ligjor dhe diplomatik për çdo vend të interesuar për qëndrime më konkrete në mbështetje të Ukrainës, duke përfshirë dhe aspektet ushtarake. Pozitive këtë radhë ishte se nuk pamë protagonizëm të tepëruar nga Kryeministri Rama, me gjuhën dhe sjelljen e duhur diplomatike për një rast të tillë serioz.
Shkurt, Shqipëria bëri detyrën si anëtar i NATO-s, meritë kjo e qeverisë dhe e të gjithëve! Gjithsesi duke parë Samitin dhe Deklaratën, del se Zelenski ishte mysarifi i nderuar, por fituesit e vërtetë ishin Rama si mikpritës dhe nismëtar dhe Vuçiç; ky i fundit shmangu me ndihmën e Zotit të shtëpisë nja tri fraza delikate dhe kompromehtuese për rolin e tij në Rusi; madje, u hoq dhe fjala ” shtet(e) çka do të nënkuptonte njohjen e Kosovws; Dhe na thuhet se demek Beogradi faktikisht po e njeh Kosovën. Gjepura!
5. Samit për samit ishte ai i 29 Shkurtit në Tiranë me vendet e rajonit. Sepse Plani i BE-së për Rritjen Ekonomike për Ballkanin Perendimor 2023 – 2027 u shpall më 16 tetor në Tiranë, pastaj në Bruksel në nëntor dhe dhjetor; ndërsa më 22 Janar në Shkup në një format dhe më të lartë. E natyrshme për rëndësinë e madhe që ka por mesa po shihet dhe vështirësitë e shumta të zbatimit të tij në moçalet e korrupsionit ballkanik. Ndaj u tha se dhe një muaj kohë keni, ndryshe…. Problemi është se liderët e vendeve tona janë mësuar t’i kenë ”llokum në gojë” të gjitha fondet pa projekte serioze, ndaj dhe përfitimet prej tyre nuk ndihen. Dihet se BE-ja mblodhi 1,1 miliard Euro për tërmetin e vitit 2019. Por shumë pak u shfrytëzua ai fond për shkak të procedurave të shumta që kërkohen me të drejtë. Kështu do të veprojë BE-ja dhe me 6 Miliardët e reja të cilat do të jepen vetëm mbas plotësimit të kritereve të përcaktuara dhe reformave konkrete. Ndaj ky ioshte ”samit për samit!”
© 2024 Argumentum