Në numrin e dytë të kësaj Rubrike, Dr. Jorgji KOTE, diplomat karriere me përvojë të gjatë komenton shkurt dhe shqip gjashtë ngjarjet më kryesore diplomatike në periudhën 1 – 16 SHKURT
***
1) 4 Shkurt: vizitë zyrtare në Tiranë e delegacionit të Kongresit të Autonomisë Lokale të Këshillit të Evropës, i përbërë nga drejtuesit e tij më të lartë. Delegacioni pati takime të rëndësishme me palët e interesuara lidhur me zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, ku KiE siç dihet nuk dërgoi vëzhgues. Pas vizitës, delegacioni deklaroi se ato zgjedhje shënuan rënie të nivelit të pluralizmit politik në Shqipëri dhe demokracisë vendore.
Ky përfundim ka rëndësi mbasi KiE me Konventën dhe Gjykatën e tij për të Drejtat e Njeriut shërben si pikë referuese në këto fusha dhe në drejtim të pushtetit vendor edhe për BE-në, OSBE-në, etj. Kësisoj, raporti i tij do të jetë në tryezën e BE-së dhe OSBE-së si tregues jo pozitiv i performancës sonë demokratike.
2) 5 Shkurt: Komisioni Evropian shpalli në Bruksel Metodologjinë e re të Zgjerimit Evropian, e cila pas shqyrtimit në vendet antare pritet të miratohet me ndryshimet e rastit në Samitin e BE-së më 24 Mars. Ajo u jep përgjigje shqetësimeve të disa vendeve, sidomos Francës, Gjermanisë, Holandës, etj lidhur me procesin e zgjerimit; ajo qetëson deri në një farë mase elektoratet e tyre të cilat ndihen të lodhura dhe pa interesin e dikurshëm ndaj zgjerimit, për shkak të përvojës me Rumaninë, Bullgarinë, katër vendet e Visegradit dhe dukuritë negative në vendet tona, si azili, krimi i organizuar, etj. Në aspektin gjeopolitik, Metodologjia e re nxit afrimin e BE-së me Ballkanin Perendimor, që të mos i lihet dorë e lirë Rusisë, Kinës, etj.
Të rejat dhe veçoritë e saj më kryesore janë: thjeshtësimi i 35 kapitujve në gjashtë, forcimi i aspektit politik, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimi dhe shtimi i mbikqyrjes së negociatave nga vendet antare, nga grupet e ekspertëve deri te samitet përkatëse; stimuj ose “ kulaç” kur ka përparime në negociata dhe sanksione ose “ kërbaç” kur vendi kandidat nuk mban fjalën; duke filluar nga ndërprerja e negociatave, pezullimi i tyre dhe në raste ekstreme te kthimi i procesit nga fillimi. Praktikisht lehtësohet çelja e negociatave, që tashmë është formalitet pothuajse i kryer, por bazuar në përvojën tonë negative, nëse politika shqiptare nuk ndërron mëndje dhe nuk bën kthesën e kërkuar, vështirësohet së tepërmi mbyllja e tyre dhe antarësimi në BE.
3) 11 Shkurt: Vizita e parë në Tiranë e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, një javë pas krijimit të qeverisë së re, në atmosferën që është larg ta quash vëllazërore, sidomos pas akuzave të ndërsjella të njohura ndërmjet ish-kryeministrit Haradinaj dhe Kryeministrit Rama dhe padisë së këtij të fundit. Nëse atmosfera ishte e ngrohtë dhe vëllazërore me Metën, Ruçin e Bashën, disi më ndryshe u shfaq me Ramën. Kjo mbasi këtë takim “ e vodhën” në sy të publikut pohimet e tyre të kundërta mbi Mini- Shengenin, që Kurti e kaloi me finesë duke theksuar “ Makro- Shengenin shqiptar”; nisur nga fakti që kemi 77 marrëveshje, por shumë pak prej tyre po zbatohen, plus shumë pengesa tregtare e doganore midis dy vendeve tona.
Mikpritësi Rama mund ta kalonte më lehtë atë moment me një buzëqeshje dhe me pak diplomaci, duke u treguar inkluziv e jo përjashtues; fare i pavend ultimatumi i tij se “ nuk ka Makro- Shengen shqiptar pa Mini – Shengen Ballkanik”!!!!! Veç kësaj, të grindesh dhe të shpenzosh aq shumë kohë dhe energji për Mini-Shengenin, përpara se Serbia të japë shenja se do të njohë Kosovën, të heqë dorë nga lobimi kundër njohjeve dhe bllokimi i antarësimit të saj në Interpol dhe UNESCO është një “ luks” politik i panevojshëm dhe i papërballueshëm për të dy vendet tona. Ky episod la disi në hije dhe njoftimin mbi takimin e ardhshëm midis dy qeverive në Shkodër, që ndonëse të bollshme, veç dekoracionit patriotik, shumë pak kanë arritur.
4) 12 – 13 Shkurt: Vizita të Komisionit të Venecias në Tiranë në kuadrin e përgatitjes së Opinionit të tyre pas kërkesave/ankesave që kanë depozituar atje si asnjëherë më parë Qeveria, Kuvendi, Presidenca, OSBE-ja dhe vetë KiE-ja për disa ligje të shumëdiskutuara e të kundërshtuara. Kemi thyer rekord për numrin e dosjeve në Komisonin “ Demokracia përmes Ligjit “ ose Komisioni i Venecias sic njihet, meqenëse mbledhjet i zhvillon atje. Ai u krijua si krahu ligjor i KiE-së në Maj 1990 për të ndihmuar me konsulencën e tij vendet ish-komuniste për aspektet madhore kushtetuese.
Opinionet e tij nuk janë të detyrueshme, por për shkak të emrit, traditës dhe ekspertizës speciale, ai ka forcën e ligjit ndërkombëtar. “Dyndja” drejt Venecias ndodh dhe për shkak të mungesës së Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese për intepretimin juridik të këtyre dosjeve të nxehta. Ndaj, opinioni i tij që do të shprehet zyrtarisht në Mars, në prag të Samitit të BE-së që do të shqyrtojë mundësinë e çeljes së negociatave me vendin tonë pritet me shumë interes.
5) 14 – 16 Shkurt Konferenca e 56 e Sigurisë në Mynih ose “ Davosi i sigurisë globale” Me praninë e 40 kryetarëve shtetesh/qeverish, 100 ministra të jashtëm e të mbrojtjes dhe qindra diplomatëve, ekspertëve, akademikëve, etj sivjet forumi më i madh i sigurisë globale u ndesh me një numër rekord krizash të çdo lloji të njohura; përfshirë tanimë dhe klimën me koronavirusin. Ndonëse informal dhe jo vendimarrës, Munihu ofron mundësi për bisedime të lirshëm pa protokoll në seanca plenare, në panele dhe dypalëshe në mjediset tejet konfidenciale, larg vëmendjes mediatike; kësisoj, atje “matet pulsi” dhe “kolaudohen” qëndrimet e ardhëshme, për t’i “kopsitur” zyrtarisht në forumet zyrtare dhe ndërkombëtare.
Të tri ditët e diskutimeve, vërtetuan shtimin e pasigurisë në botë për shkak të problematikës së mprehtë, këndvështrimeve të ndryshme dhe papajtueshmërive strategjike, tashmë dhe midis aleatëve transatlantikë dhe brenda tyre. Por, kritikat dhe paralajmërimet evropiane dhe ndaj SHBA-ve për dobësimin e Perëndimit, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i kundërshtoi me diplomaci si të egzagjeruara, duke përmendur forcimin dhe fitoren e Perëndimit kudo. Ky qëndrim euforik shpjegohet me fushatën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA ku Trump pritet të kërkojë mandatin e dytë me logon “ Amerika e madhe përsëri”. Ndërkohë, debutuesi më i ri VIP i Munihut, Kryeministri Albin Kurti shpalosi vizionin për “çlirimin” e Serbisë nga Kosova, marrëveshje me Beogradin por me dialog dhe pa harta.
6) 16 Shkurt: Takimi informal i Presidentit të ri të Këshillit Evropian, Charles Michel me liderët e Ballkanit Perendimor në Bruksel, në prani dhe të Von der Leyen dhe Kryeministrit kroat si kryesues i BE-së; veç prezantimit, takimi i tyre i parë në Bruksel ishte dhe “ nxemje” për sfidat e njohura ballkanike; aty u hodhën dhe piketat për Samitin e BE-së në Zagreb më 6 Maj, me theks reformat, çeljen e negociatave dhe dialogun Serbi – Kosovë.
argumentum.al
© Argumentum.