REALPOLITIK FLASH NR. 12 1 – 16 Korrik 2020
Në këtë Rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM” diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE komenton “ shqip” me vetëm 1.000 fjalë tre temat më të nxehta të dy javëve të fundit.
***
Nga Dr. Jorgji KOTE
6 – 16 Korrik: “Rebusi” i Dialogut Prishtinë – Beograd: BE-ja e rifilloi këtë proces të shumëpritur me disa risi; me takime Hoti – Vuçiç, veç e veç dhe bashkë, në “ zoom” me Macron/Merkel, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së së Borrell dhe të Dërguarin e tij Lajcak dhe po me ta më 16 Korrik në Takimin fizik në Bruksel. Për herë të parë pa Thaçin, Prishtina i shpalli publikisht objektivat madhore afat-gjata: njohje e ndërsjellë, mosndryshim kufijsh dhe antarësimi në OKB. Gjithashtu, u rikonfirmua qartë se dialogun do ta udhëheqë BE por, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, duke shmangur difektet e mëparshme.
Ky proces i gjatë që filloi me ekonominë, gjetjen e të zhdukurve dhe dëmshpërblimet e luftës do të kërkojë kohë, mund, energji, fantazi krijuese dhe lidership të fortë. Ndaj, nuk mund të ketë pritshmëri e shpejta dhe të tepëruara; ky dialog është një rebus i ngatëruar gjeo-politik; sidomos pas “Cunamit” të Hagës me akt – akuzat ndaj Thaçit, Kosova ndodhet në pozita inferiore negociuese kundrejt Serbisë. Megjithatë, politika dhe diplomacia e saj nuk ka pse druhet dhe dekurajohet, por të vijojë me kujdes, durim dhe pa ngut, sepse “kur nxiton, vonon”
Tani rëndësi ka përcaktimi i etapave dhe taktikave vijuese që do të çojnë hap pas hapi në realizimin e objektivave madhore. Mbi të gjitha, politika në Prishtinë duhet të heqë dorë nga “ gër vëret” cic micet dhe bërrylat” partiakë, për të patur unitetin dhe kohezionin e duhur në këtë sfidë epokale.
8 Korrik: Negociatat Ndoshta ( Jo): Kancelarja Merkel paraqiti në Parlamentin Europian në Bruksel programin e Presidencës gjermane të BE-së. Lidhur me negociatat, për Maqedoninë e Veriut e quajti të sigurt këtë vit, ndërsa për Shqipërinë tha « ndoshta/nëse e lejojnë mundësitë » Tani, shqetësimi i parë i madh është se Merkel na ndau nga Maqedonia e Veriut, « koeficient i fortë sigurie » për ne. Kur ajo mund fare lehtë të pohonte me diplomaci se « do bëhet çmos për çeljen e negociatave dhe me Shqipërinë » Por, ajo tha vetëm« ndoshta »
Problemi tjetër është se në diplomaci shumë radhë thuhet « JO » ; ndaj, në vend të saj përdoret « ndoshta » si Merkel. Për më tepër kur « PO »-ja « e 24 Marsit mbahet « me paterica » Mirëpo, kjo » ndoshta » nuk ishte një « llaf goje ». Ndryshe nga liderët tanë, për çdo deklaratë Merkel pyet, dëgjon dhe këshillohet me ndihmësit më të afërt. Ajo i njeh mirë dhe 15 kushtet për t’u plotësuar dhe që politika shqiptare lëviz me « shpejtësi breshke » Shto dhe opinionet e Venecias, zbatimi i të cilave kërkon kohë dhe qëndrimet e tanishme tejet alarmuese të shumicës qeverisëse për ndryshime të reja kushtetuese jashtë Marrëveshjes se 5 Qershorit dhe kjo « ndoshta « i avitet shumë JO-së. Këtë e pohoi këto ditë dhe Nr.2 i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së dhe Ministri i Jashtëm social-demokrat gjerman, Haiko Maas ; ndërsa më 16 Korrik me një deklaratë të përbashkët, edhe Kryetari i Komisionit të Jashtëm, McAllister, Raporterja Isabel Santo dhe Kryetari i Delegacionit për Shqipërinë i Parlamentit Europian, Kefalojannis. Kambana alarmi për ata që duan të dëgjojnë, vetëm 100 ditë përpara se Këshilli i BE-së të vendosë përfundimisht për fatin e negociatave, por jo vetëm.
10 Korrik: Hagia Sophia – kurbani i ri i islamizmit: Më 10 Korrik Gjykata e Lartë turke autorizoi kërkesën për kthimin në xhami të Muzeut të famshëm “ Hagia Sophia” në Stamboll. Më 24 Korrik, ky monument 1500 vjeçar i trashëgimisë botërore kulturore, arkitekturës moderne dhe multikulturalizmit do të jetë xhami. Pas 85 vitesh si atraksioni histrik dhe turistik i vizituar. Një vit më parë, kur Erdogan u pyet lidhur me këtë, ai tha se nuk do të bjerë në atë “grackë” për shkak të sensibilizimit të madh botëror. Atëhere, si shpjegohet ky ndryshim radikal brenda një viti dhe a i ka bërë mirë hesapet Erdogani?
Padyshim që ky vendim nuk niset nga shqetësimi lidhur me shtimin e kapaciteteve për lutje e falje, mbasi Stambolli ka mbi 600 xhami. Erdogan e ndërmerr këtë veprim me synime të qarta politike; brenda vendit, për të forcuar pozitat politike pas rënies së madhe ekonomike, rritjes së papunësisë dhe shtimit të pakënaqësisë, uljes së madhe të popullaritetit të AKP-së dhe shterimi i narrativës mbi grushtin e dështuar të shtetit më 2016. Ndoshta në këtë vendim e ka nxitur dhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme për të shmangur “mënxyrën” Ai kërkon me të mbajë lidbhur pas vehtes shtresat më konservatore, madje dhe sekularistë anti-perendimorë. Kthimi i atij Muzeu të famshëm në xhami ka qenë endër e lashtë e atyre shtresave.
Jashtë vendit, ky akt është vijim i synimeve gjeo- strategjike turke pas arritjeve në Irak, Siri dhe tani në Libi. Përballë kundërshtimit nga Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj; Erdogan kërkon të bëhet lideri global mysliman. Kështu, “ me një gur ai do të vrasë dy zogj” duke sfiduar hapur dhe Perëndimin, BE-në dhe sidomos Francën me të cilën ka hyrë në sherr të madh në Libi. Me Hagia Sophia ai irriton dhe Greqinë, pas problemeve me çpim kërkimet ne Mesdheun Lindor. Erdogan i njeh mirë dobësitë e BE-së që është e varur prej tij për ndalimin e vërshimit të miliona emigrantëve; ndaj në Takimin e tyre më 14 Korrik ministrat e saj të Jashtëm ishin kundër propozimit grek për sanksioneve dhe për dialog në vend të tyre. As NATO nuk do t’ia “prishë asaj, sepse Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në Europë. Përfundimisht, me Hagia Sophia, Erdogan i hoqi “ tullën “ e fundit sekularizmit të Ataturkut duke e zëvendësuar me islamizmin./argumentum.al
© Argumentum