Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Maqedonisë së Veriut të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të çështjet bilaterale jashtë procesit të anëtarësimit të vendit në BE. Ndihmës sekretari shtetëror i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, i ka dërguar një letër kryeministrit, Zoran Zaev, në të cilën ka shkruar se SHBA mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integrimet e saj drejt Bashkimit Evropian dhe ka shprehur zhgënjim që vendet anëtare të BE-së nuk arritën pajtueshmëri të miratojnë kornizën negociuese për fillim të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
Ai më tej ka shtuar se, Maqedonia e Veriut këtë e ka dëshmuar me arritjen e marrëveshjes historike të Prespës dhe Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi me Bullgarinë në vitin 2017, me të cilat u vendosën themelet e raporteve më të përforcuara mes dy vendeve.
“Ju inkurajojmë edhe juve edhe vendet anëtare të BE-së, të vazhdoni të kërkoni zgjidhje për çështjet bilaterale jashtë procesit për integrim të vendit tuaj në BE dhe të realizoni progres në këto aspirate dhe hapjen dhe mbylljen e kapitujve në negociata. I vlerësojmë lartë përpjekjet e juaja që t’i zhvilloni bisedimet në frymën e vullnetit të mirë dhe të mbani përkushtim në sigurimin e ardhmërisë evropiane të Maqedonisë së Veriut, gjë që vendi e ka dëshmuar se e meriton”, ka thënë Reeker.
Në këtë letër ai po ashtu ka shkruar se, SHBA vazhdon me mbështetjen e këtyre përpjekjeve dhe se shpreson që këto procese do të rezultojnë me mbajtjen e vazhdimësisë së Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.
“Mbetemi partnerët tuaj optimist se konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë kohës së kryesimit gjerman me BE-në do të mbahet së shpejti”, thuhet në letrën e ndihmës sekretarit shtetëror të Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, drejtuar kryeministrit Zoran Zaev.