Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj kanë pranuar ftesën e OSBE-së për tryezën e thirrur nga kjo e fundit për reformën zgjedhore.
Burime nga selia blu konfirmojnë se opozita do të përfaqësohet në nivel ekspertësh në këtë tryezë.
Kjo do të thotë se kryetarët e partive nuk do të jenë të pranishëm, por në takim do të përfaqësohen nga Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso nga PD, Arjan Madhi nga Partia Republikane dhe Muharrem Caka nga LSI.
Ky vendim vjen pas ultimatumit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përmes të dërguarit të posacëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer i kërkuan opozitës joparlamentare që të ulet në dialog me qeverinë për të miratuar reformën e re zgjedhore.
Zyrtari i lartë amerikan u shpreh menjëherë pas refuzimit të ftesës së OSBE që i bëri Basha, se SHBA nuk zgjedh fitues dhe humbës në lojën politike, prandaj kërkon dialog që zgjedhjet e reja të zhvillohen mbi bazën e reformës së re zgjedhore.