Sipas opozitës, prioritetet bazohen në rekomandimet e OSBE/ODIHR që lidhet me Shitblerja e votës, Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore, Presioni mbi zgjedhësit, Presioni mbi administratën, Abuzimi me burimet shtetërore; Liria e votës dhe Sekreti i votës.
Qëndrim i opozitës së bashkuar në mbledhjen e parë të këshillit politik për reformën zgjedhore
1. Këshilli Politik përbëhet nga 10 anëtarë, nga të cilët:
– 5 përfaqësues të Kuvendit;
– 5 përfaqësues të Opozitës së Bashkuar.
2. Këshilli Politik harton kalendarin e punës së përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve teknikë, duke siguruar që Reforma Zgjedhore të përfundojë jo më vonë se 15 Mars 2020. Ai kryen monitorimin e veprimtarisë së përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve teknikë. Përfaqësuesit politikë ndahen si më poshtë:
– 2 anëtarë të propozuar nga Kuvendi;
– 2 anëtarë të propozuar nga Opozita e Bashkuar.
Numri i ekspertëve për secilën palë përcaktohet nga vetë përfaqësuesit politikë.
3. Diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike. Produkti i dakordësuar, miratohet pa ndryshime në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare.
4. Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese dh,e më pas, me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.
- Rekomandimet prioritare të Raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojne çështje themelore per standartet e zgjedhjeve:
- Shitblerja e votës
- Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore
- Presioni mbi zgjedhësit
- Presioni mbi administratën
- Abuzimi me burimet shtetërore;
- Liria e votës
- Sekreti i votës
- Probleme të tjera që nuk kanë dalë si Rekomandime, por që janë në rritje dhe cënojnë procesin zgjedhor, janë:
- Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje (dalë jo vetëm nga përgjimet e prokurorisë, të publikuara në BILD për zgjedhjet e 2017, por konstatuar si fenomen edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias për iniciativën mbi nevojën e vettingut në politikë).
- Sjellja politike e Policise së Shtetit në zgjedhje (dalë edhe nga përgjimet e prokurorisë, të publikuara nga BILD, ku drejtuesit e Policisë së Shtetit vepronin si struktura elektorale të partisë në pushtet).
- Ngadalësimi i veprimit të Dekriminalizimit.
- Cilësia e përfaqësimit dhe kandidatëve.
- Mosekzistenca e gjykatave me rol në zgjedhje (Gjykata Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhor).
- Listat e zgjedhësve si pasojë e dështimit të zbatimit të sistemit të adresave dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile.
- Rinovimi i kartave të identitetit.
Në të gjitha këto problematika, e përbashkëta qendron në mosveprimin nga ana e autoriteteve për të përmbushur detyrime ligjore pozitive ose veprime në shkelje të ligjit që dëmtojnë zgjedhjet.
Gjithashtu, problemet e mësipërme janë të rregulluara në Kod Zgjedhor, Kod Penal, Ligjin e Dekriminalizimit, legjislacionet për administratën publike, policinë, shërbimin e gjendjes civile, etj. Ndërkohe që, në ndonjë rast, nuk përjashtohet nevoja e ndonjë përmirësimi ligjor jothemelor, këto fusha problematike nuk kanë nevojë për reformim ligjor, por për vullnet politik dhe zgjidhje me karakter politik.
Në lidhje me këto çështje, theksi duhet të bjerë tek togfjalëshi “zbatim i rekomandimeve”. Kjo lidhet si me detyrimin e zbatimit të rekomandimeve në raport me OSBE/ODIHR, por, po aq shumë, me mocionin e Bundestagut. Madje, ekzistenca e legjislacionit e kalon barrën e zbatimit tek “përgjegjësia e autoriteteve” pa humbur kohë apo tek “vullneti politik” për zbatimin e tyre. Në çdo rast, për këto çështje nuk mund të vendoset “tick on the box” duke bërë ndryshime apo forcime ligjore në letër, por vetëm zgjidhje politike që janë të zbatueshme në zgjedhje.
5. Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.
6. Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se “Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik”. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore: shitblerja e votës; presioni mbi zgjedhësit në administratë publike; abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet; cënimi i sekretit dhe lirisë së votës; manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit. Ky është tashmë edhe një nga kushtet e Bundestagut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, nevojiten garanci shtesë shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
7. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare.