As në seancën e fundit qeveritare nuk u vendos në rend të ditës propozim-ligji për Regjistrimin e popullsisë, pasi që, siç thonë zëdhënësit e ekzekutivit, duhet të bëhen edhe disa ndryshime teknike.
Ndonëse u paralajmërua prej një muaji, Qeveria pritet të shqyrtojë tekstin e këtij propozim-ligji në seancën e së martës së ardhshme. Pastaj, procedura duhet të kalojë në Kuvend, që të mund institucionet të fillojnë përgatitjen. Nga Enti Shtetëror i Statistikës disa herë kanë theksuar se ligji do të duhej të miratohej më së voni në janar të këtij viti që të mundet në kohë të zbatohen procedurat. Por, Zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë se janë harmonizuar të gjitha parimet ndërmjet partnerëve të koalicionit në pushtet për Propozim-ligjin e Regjistrimit të Popullsisë.
“Parimisht, së pari do të regjistrohen edhe karakteristikat etnike, kulturore dhe fetare të qytetarëve. Dhe, së dyti njerëzit tanë që jetojnë jashtë shtetit, do të regjistrohen vetëm me një deklaratë të familjarëve të tyre, duke iu prezantuar numrin amë, me çka tregojnë se janë shtetas së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.
Deri më tani këtë Propozim-Ligj e ka mbajtur peng marrëveshja mes BDI-së dhe LSDM-së për lidhshmërinë e nënshkrimit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, për të qenë të plotfuqishme raportet dhe rezultatet e Censusit, si dhe caktimi i grupeve që do të bëjnë regjistrimin derë më derë. Ndër pikat e diskutueshme ishte edhe grafa për përkatësinë etnike, e cila u shtua në Propozim-Ligjin e Regjistrimit të Popullsisë, megjithëse Enti Shtetëror i Statistikave nuk e parashikonte fillimisht. Sipas këtij drafti thuhet që shtetasit, të cilët nuk janë rezident brenda territorit të Maqedonisë më shumë se një vit do të regjistrohen si popullsi e Diasporës./alsat-m