Rënia e lartë në indeksin e aksioneve të tregjeve globale u shfaq kryesisht javën e kaluar, edhe pse frika mbi përhapjen e shpejtë të koronavirusit ka pak më shumë që ka filluar. Dallimi ndërmjet kësaj jave dhe asaj të kaluarës është se virusi është përhapur në qendrat kryesore të prodhimit, në Itali dhe në Korenë e Jugut, duke rrezikuar kështu prishjen e zinxhirit global të furnizimit, ose shkaktimin e një tjetër raundi të krizës së borxheve të Eurozonës, nëse rastet e infektimit me këtë virus do të vazhdojnë të rriten në Itali. Që nga fundi i javës së kaluar, indeksi i aksioneve Dow Jones ka rënë me mbi 2 000 pikë, duke lënë pas kështu rritjen prej mbi 1 000 pikësh të shënuar në gjysmën e parë të muajit shkurt. Ndërsa arsyet kryesore që kontribuan kryesisht në fitimet e aksioneve globale gjatë gjysmës së parë të këtij muaji ishin dy të mëposhtmet:
Së pari, kur virusi ishte në fazën e tij fillestare të përhapjes, shumë tregje nuk dinin se si të reagonin sepse nuk ishin përballuar me një përvojë të ngjashme në të kaluarën. Gjithashtu, investitorët nuk kanë shumë të dhëna se si koronavirusi do të ndikojë në ekonominë globale. Së dyti, pritshmëritë që politikëbërësit globalë do të ndërmarrin masa masive pro rritjes, kryesisht në drejtim të aktiviteteve ekonomike dhe besimit kanë qenë shumë të larta. Megjithatë, përhapja e shpejtë dhe e gjerë e koronavirusit gjatë ditëve të fundit në të gjithë botën dhe veçanërisht në rajonet kryesore të prodhimit, me shumë mundësi do të shkaktojë përçarje në prodhimet globale, ndërkohë që masat të cilat politikëbërësit globalë mund të ofrojnë në këtë pikë janë vërtet shumë të limituara.
Gjithashtu, zyrtarët e Shëndetit Publik në SHBA paralajmëruan amerikanët që të marrin të gjitha masat e lajmëruara, sepse ka shumë mundësi që edhe raste të tjera personash të infektuar me këtë virus mund të evidentohen gjatë javëve në vijim. Numri tejet i lartë i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Itali, njëkohësisht edhe ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës, do të jenë një sfidë e vërtetë ndaj aktiviteteve të brishta të rritjes në rajon. Nëse virusi në rajon do të vazhdojë të përhapet për disa javë apo muaj të tjerë në vijim, prodhimi i ngadaltë mund të shkaktojë probleme të shumta në këtë bllok, dhe rrjedhimisht, mund të çojë në një krizë të mundshme të mini-borxheve, edhe pse shkalla është e panjohur deri në këtë pikë ku ndodhemi aktualisht. Kreditë derivative pesë-vjeçare të Italisë, një nga derivatet më të zakonshme të kredisë, dhe që kanë shërbyer si një formë sigurimi ndaj mospagimit, vunë re që përhapja e tyre në rendimentet e obligacioneve sovrane të vendit u rrit në 120 pikë bazë kundrejt 96 pikëve bazë në krahasim me dy javët e mëparshme.
Mundësitë që Italia të goditet nga një recesion teknik janë shumë të larta, duke shkaktuar kështu recesionin e katërt për këtë shtet që nga periudha e krizës financiare globale. PBB-ja e vendit ra me 0.3 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2019, dhe bllokimet aktuale nga Milanoja në Lombardi, Veneto, nuk do të dëmtojnë vetëm konsumin e luksit, por edhe sektorët e prodhimit. Grafiku më poshtë tregon se sektorët e prodhimit kanë qenë gjithnjë shumë të rëndësishëm për PBB-në e Italisë, pasi eksportet e mallrave të saj përbëjnë 25.1 për qind të të gjithë PBB-së së saj, shifër kjo shumë herë më e lartë se ajo e 18.0 për qind e dhjetë viteve më parë. Përveç kësaj, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Italia është vendi i pestë më i vizituar në botë, dhe sipas Këshillit Botëror të Tregtisë dhe Turizmit, sektori i turizmit kontribuon me rreth 13 për qind në PBB-në e saj.
Gjithashtu, kushtet ekonomike dhe financiare të Italisë janë të rëndësishme për të gjithë Eurozonën. Borxhet aktuale në Itali, si përqindje e PBB-së, kanë arritur në 147.5 për qind, dhe indeksi i saj i Prodhimit “Markit Italy Manufacturing PMI” ka qenë vazhdimisht poshtë nivelit kryesor 50, që prej fundit të vitit 2018, prandaj një përkeqësim i mëtejshëm në sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve të Italisë do të bëjë që profili i kreditimit të vendit të bëhet më i prekshëm. Këtu mund të përmendim edhe krizën e borxheve të Greqisë, (duke filluar që nga viti 2009), e cila goditi sovranitetin e Eurozonës në 2012. Prandaj çdo krizë e mundshme në Itali do të sillte një ndikim shumë më të madh në këtë bllok, pasi PBB-ja e saj është rreth 10 herë më shumë se ekonomia e Greqisë.
Rishfaqet përmbysja në kurbën e rendimentit të obligacioneve të SHBA-ve
Pëmbysja e kurbës së thesarit, një nga treguesit më të besueshëm të një recesioni të mundshëm ekonomik global, është rishfaqur edhe një herë. Një gjë e tillë nënkupton se normat e interesit afatgjatë janë më të ulëta se ato afatshkurtëra, zakonisht si pasojë e pikëpamjeve pesimiste mbi perspektivën e rritjes afatgjatë. Grafiku më poshtë tregon se në periudhat që ka ndodhur përmbysja e kurbës, një gjë e tillë është shoqëruar gjithmonë me një krizë ekonomike apo financiare. Kështu për shembull, kurba e përmbysur në vitin 2000, 12 muaj përpara se të shpërthente flluska Dotcom. Kurba e përmbysur përsëri në 2006, 17 muaj përpara krizës globale financiare. Tani kurba tremujore / 10-vjeçare e SHBA-ve përmbyset me 17 pikë bazë.
Përshkallëzimi i tensioneve tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, ishte një prej shkaktarëve kryesorë që çoi në përmbysjen e kurbës në vitin 2019. Recesioni i vërtetë mund të vijë më në fund sepse pritet të ndodhë nga tregjet financiare në ekonominë reale. Për të përmbysur një situatë të tillë, Rezerva Federale e uli normën e politikës monetare deri në tre herë gjatë vitit të kaluar, si pjesë e përpjekjes për të ndikuar në normat afatshkurtra më të ulëta për të forcuar kurbën e rendimentit. Bazuar në përvojën e vitit të kaluar, Rezerva Federale filloi të ulë normat me 25 pikë bazë në muajin korrik, kur rendimenti i kurbës tremujore/ 10-vjeçare të obligacioneve qeveritare të SHBA-ve ra me 25 pikë bazë. Nëse përmbysja e kurbës do të tejkalojë rënien prej 25 pikësh bazë dhe do të qëndrojë në këto nivele për një periudhë të qëndrueshme, Rezerva Federale mund të befasojë tregjet duke sinjalizuar gatishmërinë e saj për të lehtësuar përsëri politikën monetare në takimin e saj të radhës FOMC, që do të zhvillohet në muajin mars. Sidoqoftë, këtë herë çdo shkurtim i normës së interesit do të jetë shumë i kufizuar, në një përpjekje për të balancuar edhe efektin negativ të koronavirusit. Nëse ky virus do të përhapet akoma edhe më shumë, një gjë e tillë do t’i detyrojë kompanitë të reduktojnë prodhimin dhe kostoja e ulët e huadhënies nuk do të ndihmonte shumë në këtë drejtim./monitor/