Nuk duhet të mendojmë se është një katastrofë që nuk mund të përballohet, deklaroi sot kryeministri italian, Giuseppe Conte.
”Në fakt është një emergjencë që mund të ballafaqohemi dhe të marrim të gjitha masat e duhura”, theksoi Conte në një takim me Mbrojtjen Civile italiane.
Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio deklaroi se ”për momentin ka dy vatra shpërthimesh të virusit që përfshijnë rreth 50 mijë njerëz nga 60 milion qytetarë. Infeksionet e reja janë brenda zonave të monitoruara. Ky është një virus i ri dhe duhet të monitorohet me kujdes. Prioriteti duhet të jetë shëndeti i italianëve”.
”Si masë paraprake, do të ndërmarrim veprimet e duhura për ta mbajtur të ngushtë perimetrin e virusit. Deri më tani kemi zbatuar masat më të rrepta në Europë”, nënvizoi ai.
”Italia është një vend i fortë, transparent dhe i përgjegjshëm dhe ky është një apel që unë dua t’i dërgoj të gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, shtoi Di Maio në një intervistë për gazetën ”Corierre della sera”.
”Përveç pezullimit të pagesave të kësteve dhe faturave, qeveria do të mbështesë gjithë strukturën ekonomike dhe familjet në zonat e përfshira, por ne do të miratojmë një dekret që ndihmon të gjithë sistemin”, garantoi ai.
”Italia të përballet së bashku me #Coronavirus. Pasi të mbarojë urgjenca, ata që dëshirojnë do të kenë kohë të përballen me gabimet”, deklaroi edhe ish-kryeministri Matteo Renzi.
”Në vend të kësaj ne do të jemi në rreshtin e parë për të ringjallur ekonominë e shkatërruar nga këto ditë”, përfundon Renzi, i cili është edhe lider i partisë ”Italia Viva”.