Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara ka nominuar zyrtarisht presidentin aktual, Donald Trump për një mandat të dytë si president, në natën e parë të konventës së kësaj partie.
Nominimi i tij nuk ka qenë befasi, pas fjalimeve lavdëruese që kanë bërë republikanët në Konventën Kombëtare në Karolinën Veriore.
“Këtë javë ne do të prezantojmë argumentet tona para popullit amerikan”, ka thënë nënpresidenti amerikan, Mike Pence, duke premtuar për “ta bërë Amerikën të mrekullueshme sërish”.
Pence po ashtu është nominuar për herë të dytë për pozitën që ka aktualisht.
Konventa katërditore, që do të organizohet kryesisht në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë me koronavirus, do të finalizohet me pranimin zyrtar të nominimit nga ana e presidentit Trump për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ai do të përballet me kandidatin e demokratëve për president, Joe Biden.
Aktualisht Trump po përballet me kritika për mënyrën e menaxhimit të situatës me koronavirus, gjendjes eknomike dhe trazirave racore.