Editorial
Javët e fundit është theksuar dhe më tej dukuria e çuditshme e politikës sonë, kur si partia në pushtet por dhe një pjesë e PD-së zyrtare, mbasi nuk po i japin dot drejtim dhe zgjidhje sfidave dhe krizave të tyre të brendshme, po mundohen të luajnë si aktorë madhorë në skenën ndërkombëtare. Edhe pse pa kapacitete dhe besueshmërinë e duhur për të zgjidhur probleme shumë më të thjeshta brenda vendit, ata pretendojnë t’u japin zgjidhje problemeve dhe krizave më serioze të botës, madje ” me një të rënë të shkopit.
Kështu, Kryeministri Rama mbas propozimeve për Kosovën nga ku nuk po ia dalin dot SHBA dhe BE-ja, ka dalë me gatishmërinë për të zgjidhur krizën në Lindjen e Mesme! Kjo bëhet qesharake kur mendon se ajo krizë e ndërlikuar që vijon për dekada është një sfide gjeopolitike edhe për fuqitë e mëdha perendimore! Kjo tregon se lidershipi ynë nuk ia ka idenë Realpolitikës! Ose mendon të faktorizohet thjesht dhe vetëm duke hedhur në treg ide dhe propozime gjeopolitike si retorikë propagandistike. Mirëpo, sado të mira e të dobishme të jenë këto ide dhe propozime, mjafton kur mësohet se vijnë nga vendi ynë pa peshë reale gjeopolitike dhe kancelaritë perendimoree t’i thonë me gjuhë të butë diplomatike ” JO” ose të argëtohen me to si shaka dhe batuta politike të rradhës.
Tani së fundi, Kryeministri Rama në vend të projekteve ekonomike për rajonin njoftoi nga Shkupi se do të mbledhë në Tiranë një Samit për Ukrainën!!!! A thua se nuk ka vende të tjera shumë më të mëdha se ne për të tilla ngjarje?!
Nuk ngelet prapa as Lulzim Basha, i cili javën e kaluar në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të KiE-së propozoi sekuestrimin e depozitave bankare jashtë vendit të Rusisë prej 300 Miliard Euro!
Pra në vend të merrej me fatin e propozimit tonë të tetorit të vitit 2022 lidhur me Rezolutën e vitit 2010 që akuzon ish liderët e UÇK-së për trafikim të qenieve njerëzore! Basha, ndermerr hapa gjigant per kapacitetin e tij, aq me teper kur dihet se fati i depozitave bankare ruse është në dorë të SHBA-ve dhe BE-së!
Ndërkohë, Fatmir Mediu shpalli se në bashkëpunim me senatorë amerikanë organizuan një seancë në Capitol Hill lidhur me mbështetjen ndaj Ukrainës! Ndonëse pengesa për këto ndihma vjen nga po republikanët, aleatët e Mediut! Ky i fudnit do të bënte shumë më mirë të kërkonte ndihmën e kongresmeneve amerikanë për të vendosur më parë rregull në shtëpinë e vet politike në Tiranë!
E pra, të gjitha këto veprime ngjajnë ”si dy pika uji” me propagandën e kohës së komunizmit, madje po ia kalojnë asaj. Rezultati përfundimtar është se ato janë ca si shumë për mundësitë tona dhe shumë shumë pak për përfituesit.
Sikundër e kemi nënvizuar dhe më parë, është më mirë të përqëndrohemi në punën nga brenda e pastaj të dalim jashtë. Siç thoshte ish Kryeministri emblematik britanik, William E. Gladstone, suksesi i politikës së jashtme fillon nga brenda”.
Ndaj mund të themi se të tilla retorika për zgjidhje gjeopolitike mund të jenë marketing publik për të mbuluar hallet dhe telashet brenda vendit, për të shpërqëndruar vëmendjen nga aferat dhe skandalet e shumta, por asgjë më shumë.
/Argumentum.al