Për herë të parë vjen një “shuplakë” e fortë nga institucionet europiane kundër nismës “Ballkani i hapur”. Rezoluta të miratuar të mërkurën në Parlamentin Europian dhe që ka marrë 502 vota pro, 75 kundër dhe 62 abstenim shprehet hapur mosprani i nismës, iniciatore dhe frymëzuese e së cilës janë qeveritë e Tiranës, Beogradit dhe Shkupit.
Në rezolutën me 15 faqe që lapsi.al e disponon të plotë, europarlamentarët theksojnë se kanë “rezerva të forta për çdo bashkëpunim ekonomik rajonal, apo iniciativë që nuk përfshin të 6-të vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma e “Ballkanit të Hapur”.
Kjo është hera e parë që në një dokument të Bashkimit Europian shprehen kaq hapur rezervat për nismën. Rezoluta kishte si qëllim përcaktimin e rregullave të strategjisë së re të zgjerimit dhe ishte hartuar nga eurodeputeti kroat Tonino Picula që i përket grupit Social dhe Demokrat.
“Të rriten përpjekjet drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, gjithëpërfshirëse dhe efektive, bashkëpunimi socio-ekonomik në nivel rajonal dhe solidariteti në anëtarësimin në BE të vendeve si dhe bashkëpunimi rajonal ndërkufitar ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendet partnere përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së, fuqizimi ekonomik, konkurrueshmëria dhe kohezioni social në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet reformave strukturore dhe duke vendosur bashkëpunim ekonomik rajonal që është i pranueshëm për të gjashtë vendet, duke ndjekur përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe acquis të BE-së dhe duke kontribuar në procesin e integrimit në BE.
Në këtë kontekst Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e fundit në Samitin e Procesit të Berlinit, veçanërisht përfundimin e marrëveshjeve rajonale të lëvizshmërisë për lirinë e udhëtimit me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave akademike dhe profesionale me certifikata.
Shprehim rezerva të forta për çdo bashkëpunim ekonomik rajonal, apo iniciativë që nuk përfshin të 6-të vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma e “Ballkanit të Hapur” – thuhet në rezolutë.
Rezoluta njohu rëndësinë e politikës së zgjerimit në dritën e rrethanave aktuale gjeopolitike të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, si dhe zvogëlimin e efektivitetit të politikës së zgjerimit “për shkak të dështimit të BE-së për të përmbushur premtimet e veta”.
“Shuplakë” edhe për Serbinë
Por “shuplakë” nuk ka marrë vetëm Ballkani i hapur, por edhe Aleksandër Vuçiç për qëndrimin që Serbia mban ndaj Rusisë.
Rezoluta i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të BE-së që çështjen e harmonizimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së ta konsiderojnë si prioritet në procesin e anëtarësimit. Ajo thekson se negociatat me Serbinë duhet të përparojnë “vetëm nëse vendi përafrohet me BE-në dhe u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat e lidhura me BE-në”.
Deputetët miratuan amendamentin në pjesën e rezolutës që lidhet me Serbinë, e cila u bën thirrje vendeve anëtare të “rishqyrtojnë çdo fond dypalësh dhe të BE-së për Serbinë që do të përfitonte autoritetet serbe”.
Kjo i referohet në veçanti fondeve në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të Ballkanit Perëndimor “në mënyrë që të sigurohet që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së”. Pas miratimit të saj, rezoluta tani paraqet qëndrimin zyrtar të Parlamentit Evropian ndaj zgjerimit. Edhe pse nuk është detyruese, rezoluta është një rekomandim zyrtar për Komisionin dhe Këshillin./Marrë nga Lapsi.al