Filip Riker, Ndihmës Sekretar Shteti për Euroazinë, ka folur për krizën në Shqipëri gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Atlantikut.
Ambasadori Riker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington. Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.
“Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri,” tha zoti Riker.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Riker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejakilimin e krizës së tanishme.
Megjithatë ai tha se SHBA nuk do arbitrojë politikën e brendshme shqiptare, duke shtuar se çelësi janë tek institucionet.
“Gjithmonë kam një bast me stafin që nuk mund të kalojë një ditë pa më pyetur për Ballkanin. Kam kaluar shumë nga jeta ime personale dhe profesionale në Ballkan.
Shqipëria ka kaluar një periudhë të vështirë. Është aleat i NATO-s, kemi punuar ngushtësisht dhe kemi punuar fort me ta. Ky vend erdhi nga një eksperiencë unike, pasi dolën nga era e Hoxhës, një eksperiencë e ndryshme nga vendet e tjera gjatë Luftës së Ftohtë. SHBA kanë qenë miku më i mirë i Shqipërisë, kemi punuar fort për ta futur në rrugën e anëtarësimit në NATO. Jemi krenarë për këtë fakt.
Jemi krenarë për Shqipërinë. Por nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve, të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet parimeve kushtetutese që keni. Duhet të mbajmë mend që ne në SHBA, na u desh ca kohë që të bëjmë gjërat mirë. Nuk kemi thënë se është kryer kjo gjë apo është perfekt. Por institucionet janë çelësi,” tha Riker.