Protestuesit i vunë zjarrin një banke dhe plaçkitën dyqanet në rrugën tregtare historike të Parisit, duke shënuar një shpërthim të ri të dhunës. Janë demonstrimet e jelekverdhëve kundër Presidentit Emmanuel Macron. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Protesta u kthye përsëri në dhunë pas shumë javësh qetësie relative që u shënua me marshime dhe me një numër në rënie të pjesëmarrësve.
Një degë e Bankës Tarneaud u përfshi nga flakët, ndërsa zjarrfikësit arritën të shpëtonin dy vetë nga ndërtesa. Njëmbëdhjetë persona morën lëndime të lehta, tha departamenti i zjarrfikësve.
Protestuesit gjithashtu i vunë zjarrin një dyqani kulinarie dhe dy dyqaneve në Champs Elysees ndërsa nëpër bulevard mund të shihje zjarre sporadike.
Protestuesit hodhën gurë nga kalldrëmi i rrugës në drejtim të policëve në mjegullën e krijuar nga gazi lotsjellës para Harkut të Triumfit, i cili pësoi dëmtime të rënda në kulmin e protestave në dhjetor.
Policia arrestoi më shumë se 150 protestues deri pasditen e së shtunës ndërkohë që demonstruesit grabitën disa dyqane rreth bulevardit Champs Elysees dhe plaçkitën restorantin e njohur Fouquet.
Disa qindra metra më tej, në Champs Elysees, Kryeministri Edouard Philippe u tha gazetarëve se dhuna ishte ‘e papranueshme’ dhe se do të bëhej gjithçka për të sjellë autorët para drejtësisë.
Ministria e brendshme vlerëson se rreth 10,000 njerëz morën pjesë në protestën në Paris, krahasuar me 2,800 të shtunën e kaluar.