Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka prezantuar projektet e rindërtimit të zonës së Shijakut, ku u shpreh se në këtë zonë do të strehohen 598 familje në ndërtime që do të bëhen në vendet ku janë dëmtuar banesat dhe pallatet pasi fatmirësisht në këtë zonë nuk pati viktima.
Gjatë takimit në Shijak me të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, për të paraqitur projektin dhe shpjeguar nga afër të gjithë procesin e rindërtimit, Margariti tha se, kemi arritur më së fundi një fazë shumë të rëndësishme, për të gjithë rimëkëmbjen pas tërmetit. Një punë që ka filluar një muaj më parë, një grup arkitektësh shqiptarë dhe italianë janë angazhuar për hartimin e të gjithë planit të rimëkëmbjes të Shijakut post tërmetit.
“Ka qenë vizion i qeverisë, kërkesë direkte e Kryeministrit Edi Rama, që asnjë herë të mos ndaleshim vetëm në aspektin e banesave të humbura, nëse do të kishin bërë të mundur gjatë hartimit të projektit, vetëm evidentimin e atyre banesave të cilat ishin dëmtuar, numrin e familjeve të cilat duhet të akomodoheshin në banesat e reja, do të kishim krijuar në Shijak vetëm një si fjetore. Ndaj ka qenë një kërkesë që i jemi drejtuar arkitektëve të cilët e kanë marrë përsipër dhe e kanë paraqitur projektin e tyre më së miri, ajo e krijimit të zonave të tjera publike dhe qendrave komunitare, hapësirave publike, objekteve arsimore dhe kulturore, të gjitha këto elementë të një jete me standarde të larta. Pasi kjo ka qënë kërkesa kryesore, që në fillim, e çdo plani që kemi hartuar në 26 zonat”- tha Margariti.
Kemi 26 zona në të gjithë Shqipërinë të prekura nga tërmeti, vijoi ajo, që shkojnë deri në 398 ha, pra janë rreth 400 ha tokë që përfshihen në programin e rindërtimit. Ka qenë një punë e padukshme në këtë muaj, e një stafi dhe grupi ekspertësh nga fushat e linjës që kanë bërë të mundur sot prezantimin e projekteve konkrete të rindërtimit.
Margariti bëri të ditur se, 7981 janë banesa kolektive, 806 janë banesa individuale të cilat tashmë kanë hyrë në një fazë konkrete siç është ajo e miratimit që do të ndërtohen kryesisht në zonat rurale. Kjo do të thotë u shpreh Margariti, që kemi gati të gjitha modelet tipologjitë dhe standardet euroko që do të ketë plani i zbatimit të rindërtimit.
Margariti informoi se është miratuar zona e parë e rindërtimit Laç, Thumanë e Shijak dhe javën tjetër fillojmë miratimin e zonës së dytë në Laç, Durrës, Kavajë, Fushë-Krujë, Bubq, Vorë e për të vazhduar më 18 mars dhe 31 mars që janë zonat e fundit në Spille Durrës.
Ajo tha se, janë tre modele të ndërtimit të shtëpive 1 + 1 ; 2+1 ; 3+1 që përshtaten plotësisht sipas numrit të familjarëve që do të akomodohen. Teknologjia e përdorur është re që siguron mbrojtjen ndaj tërmetit, ndaj erës dhe materialet që përdoren për ndërtimin janë të riciklueshme.
“Po investojmë sot në shtëpitë tuaja të ardhshme, por mbi të gjitha po investojmë edhe në një konsum ekonomik të buxhetit tuaj familjar. Montimi këtyre i shtëpive është shumë i shpejtë për 30 ditë dhe ka një garanci jetese deri në 70 vite, që do të thotë që për 70 vite ju nuk do të keni nevojën e asnjë lloj ndërhyrje në shtëpinë tuaj”, u shpreh ministrja.
Duke u ndalur në zonën e Shijakut, Margariti shpjegoi se, janë identifikuar që në fillim në muajin e parë të gjitha godinat e dëmtuara sipas kategorive të dëmit. Modeli i rindërtimit të Shijakut nuk është krijimi i lagjeve të reja, por rindërtimi në të njëjtin vend ku janë dëmtuar pallatet dhe banesat.
“Do të kemi 54 mijë m2 sipërfaqe totale ndërtimi dhe janë 598 familje që do të akomodohen në të gjitha zonat ku do të ndërhyhet. Të kategorizuar sipas nevojave të familjeve, kemi 177 apartamenti 1+1, 246 apartamente 1+2 dhe 175 apartamente 1+3. Zonat që do të rindërtohen do të përfshijnë ndërtimin e pallateve, zona për të luajtur fëmijët e mjedise të gjelbëruara. Ndërsa zonat me banesa të ulëta mendojmë se kanë një potencial tjetër për zhvillimin e Shijakut. Ndërsa prioritet njëkohësisht do të marrë rindërtimi i veprave publike siç janë shkollat, pallati i kulturës etj. Në zonën në hyrje të Shijakut do të akomodohen 33 familje. Ndërsa në lagjen “Lugina” do të kemi një densitet më të lartë akomodimi me rreth 415 familje”- deklaroi Margariti.