Qeveria ka rishikuar buxhetin e vitit 2024, duke rritur të ardhurat e parashikuara për këtë vit me 27 miliardë lekë.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Petrit Malaj informoi mbi ndryshimet e rëndësishme të miratuara për sa i përket buxhetit të vitit 2024.
“Si rezultat i performancës pozitive të ekonomisë shqiptare dhe realizimit të të ardhurave nga agjencitë tatimore, doganore, të ardhurat e realizuara nga qeverisja vendore apo dhe te ardhura të realizuara jotatimore, ne kemi rishikuar buxhetin e vitit 2024, duke rritur të ardhurat e parashikuara për këtë vit me 27 miliardë lekë”, bëri të ditur Malaj.
Ministri i Financave theksoi se këto të ardhura shtesë janë menduar të shpërndahen në radhë të parë në ato sektorë që kanë një ndikim të lartë në jetën sociale dhe në ato sektorë që kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Më konkretisht, Malaj tha se janë rritur financimet shtesë për Ministrinë e Bujqësisë me rreth 500 milionë lekë, në mënyrë që të mbështetet skema e granteve të fermerëve.
Nga ana tjetër, ministri informoi se është rritur financimi shtesë në masën 250 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të financohen projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor.
“Kemi rritur financimin për Ministrinë e Brendshme në vlerën rreth 1.3 miliard lekë për kompensimin ushqimor të Policisë, krahas orëve shtesë të punës që do t’i përfitojnë në kuadër të sezonit turistik”, tha ai.
Malaj theksoi se janë rritur po ashtu fondet për Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit me vlerën 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve që kanë arritur rezultate të mira sportive.
Nga ana tjetër, ministri informoi se janë rritur financimet edhe për ujësjellës-kanalizimet në vlerën rreth 2 miliardë lekë, ku është bërë një punë relativisht e madhe, por që ka akoma nevojë në këtë sektor të investohet.
“Do të vijohet për të financuar në infrastrukturën qoftë kombëtare, qoftë lokale apo rurale, dhe në atë infrastrukturë e cila do të luajë një rol kyç në zhvillimin ekonomik të vendit. Këto janë ndryshimet më të fundit të buxhetit të vitit 2024”, tha ministri.