Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj u rivotua në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore. Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative. Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit. Në njësinë e pestë zgjedhore që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut votohet në gjashtë vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.
Ismail Jahoski në Zonën 5 zgjedhore do të jetë deputeti i katërt i Frontit Europian, ndërsa Fatmire Isaku në Zonën 6 zgjedhore e ka humbur mandatin e deputetes nga radhët e Frontit Europian. Rezultati i rivotimit të sotëm në Llërcë të Zhelinës tregon se Fronti Europian i humbi votat e zgjedhjeve të 8 majit, ndërsa VLEN-i ka arritur ta trafishojë rezultatin, duke fituar deputetin e tetë në Zonën 6 zgjedhore, shkruan gazeta KOHA.
Në Llërcë të Zhelinës, VLEN-i ka fituar rreth 500 vota, ndërsa Fronti Europian ka mbetur me 50 vota.
Në Zonën 5 (Manastir, Dollnen, Krushevë, Ohër dhe Strugë), numri i votuesve të sotëm ka arritur në 1941 ose 55%. LSDM nuk ka marrë më shumë se 110 votat e nevojshme për deputetin e katërt. Kështu që, Fronti Europian mbetet me 4 deputetë, ndërsa LSDM me 3.
LSDM edhe me rivotimin e sotëm mbetet 18 deputetë, Fronti Europian nga 19 zbret në 18, ndërsa VLEN-i nga 13 kalon në 14 deputetë, raporton koha.mk.
Ndryshe, në zgjedhjet e 8 majit, në Zonën 6 zgjedhore, Fronti Europian kishte fituar 53.817 vota ose 9 deputetë, ndërkohë që koalicioni VLEN kishte marrë 47.687 vota, apo 6130 vota më pak se Fronti i kryesuar nga Ali Ahmeti i BDI-së.
Në Zonën 5 zgjedhore, në zgjedhjet e 8 majit, Fronti Europian kishte marrë 27.013 vota, ndërsa LSDM kishte 26.904 vota gjithsej, që i bie 109 vota më pak sesa forca e dytë shqiptare në Maqedoninë 3 Veriut.
VMRO mbetet me 58 deputetë, LSDM me 18, Fronti Europian me 18, VLEN-i me 14, ZNAM e Maksim Dimitrievskit me 6, aq sa edhe Levica e Apasievit. (koha.mk)