Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se hetimi për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 61 persona, është zgjeruar më tej, duke i përfshirë në hetim edhe 19 persona të tjerë, ndër të cilët ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë.
Në një konferencë për media së bashku me prokurорin publik, Ljupço Kocevski, ministri Toshkovski njoftoi se në lidhje me zjarrin hetimi po kryhet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridik.
Toshkovski tha se të gjithë personat nën hetim dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nën Kodin Penal.
Prej tyre, njoftoi ai, për katër të dyshuar është propozuar masa e paraburgimit, shtatë të dyshuar masa arrest shtëpiak me ndalim komunikimit dhe për shtatë të tjerë janë propozuar masa parandaluese, ndërkohë një i dyshuar në momentin e hapjes së hetimeve ka qenë jashtë shtetit.
Hetimi përfshin pronarët dhe drejtuesit e lokalit të natës ku shpërtheu zjarri, përdoruesit e mjeteve piroteknike, rojet e sigurisë, si dhe disa ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktual, lëshimet e të cilëve, sipas autoriteteve, lejuan që lokali të veprojë pa plotësuar kushtet e nevojshme.
Autoritetet e sigurisë njoftuan se në hetim janë përfshirë “zyrtarë që nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse, të cilët me kompetencat e tyre në periudhën nga viti 2012 deri në muajin mars të këtij viti kanë shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe pronës në shkallë të gjerë”.
Ndër personat e ri të përfshirë në hetim, siç raportojnë mediat lokale, përkatësisht janë tre ish-ministra të Ekonomisë, dy ish-sekretarë shtetëror dhe tre persona zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë, tre ish-udhëheqës në Drejtorinë e për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre inspektorë të ndërtimit nga Komuna e Koçanit dhe katër inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Raportohet se edhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, aktualisht ministër pa portofol, është nën hetim, si dhe tre ish-ministrat e Ekonomisë, Bekim Neziri, Valon Sariçini dhe Driton Kuqi, i cili aktualisht shërben si ambasador i vendit në Norvegji.
Kuqi, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit, dje në rrjetet sociale tha është informuar nga familja e tij se forcat policore kanë qenë në shtëpinë e tij për të kërkuar një “takim informativ”.
“Nuk kam asgjë për të fshehur dhe gjithmonë kam zgjedhur të veproj me ndershmëri dhe qetësi, edhe kur rrethanat kanë qenë të vështira”, shkroi ai, duke shtuar se me fluturimin e parë do të kthehet në Shkup, “jo për të sqaruar, por për të konfirmuar se transparenca dhe besimi janë rruga e vetme përpara”.
Thuajse të gjithë personat nën hetim, veçanërisht ish-zyrtarët qeveritarë janë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila bënë thirrje për përgjegjësi urgjente në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen, por njëkohësisht kritikon hetimet e qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.
“Në vend që të ndërmarrë masa të shpejta dhe vendimtare dhe të kërkojë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktual dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike”, thuhet në reagimin e BDI-së, duke theksuar se qeveria aktuale përmes “arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë”.
Incidenti tragjik në Koçan
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmje argëtuese.
Fillimisht nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe më shumë se 170 të tjerë u plagosën, por më vonë iu nënshtruan plagëve edhe dy të plagosur, duke e çuar numrin në 61.
Nga hetimet pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara. Ndër të parëve që u nis hetimi është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili aktualisht është në paraburgim.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli shtatë ditë zie kombëtare pas incidentit.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen pas ngjarjes.