Nga Ardit GJINALI
Samiti mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë më 6 Dhjetor nuk është thjeshtë një dëshmi e vëmendjes së kthyer së BE ndaj vendeve të Rajonit, por gjithashtu dhe krijimi i një hapësire mendimesh propozuese që do të rrisnin efektivitetin e jetësimit të një bashkëpunimi të pakthyeshëm me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu. Zbatueshmëria efektive që do të dërgonte në një konsolidim praktik të marrëdhënies thërret në apel praninë e një shtet-aktor politik me lidhje të qarta historike, gjeografike dhe politike me rajonin e Ballkanit- Republika e Kroacisë mund të jetë aktor-faktori politik që do të dergonte përpara jo vetëm angazhimet e firmosura, por gjithashtu do të eliminonte rrezikshmërinë që buron nga pezullitë kohore , të tillat që diktohen nga zhvillime të tjera botërore.
Republika e Kroacisë mbetet një model i suksesshëm orientues për vendet e Rajonit të Ballkanit që vijojnë të jenë në proçes për realizimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Implementimi i monedhës së përbashkët EURO dhe përmbushja e kritereve nga Republika e Kroacisë për anëtarësimin në zonën Schengen e kthejnë vendin në “një aktor politik të dorës së parë” në arenën Europiane….një përparim mbresëlënës në kontekstin e përmbushjes së kritereve nën lidershipin e suksesshëm të Qeverisë së Qendrës së Djathtë të drejtuar nga zoti PLENKOVIC.
Ky avancim i Kroacisë në statusin e saj politik brenda Bashkimit Europian mund dhe duhet ta shndërrojë vendin në referencën politike të boshtit Europian “ Berlin- Bruksel- Paris” karshi vendeve të Rajonit të Ballkanit që vijojnë rrugëtimin drejt Integrimit Euro-Atlantik….një rrugëtim i ndryshëm sipas ecurisë së secilit Shtet, por me qëllim të njëjtë fundor -Ruajtja e drejtimit politik perëndimor për secilin shtet , të tillë në qasje dhe ekzekutim politikash dhe Integrim të plotë të vendeve të Rajonit të Ballkanit.
Rritja e statusit politik në arenën Europiane të aktorëve rajonalë si Kroacia janë një lajm i mire për ndihmesën në avancimin e proçeseve të ndryshme dhe shmangien e vonesave kohore që burojnë nga angazhimi i shtuar i shteteve-aktorë kryesorë në dinamikat e reja që buruan nga zhvillimet botërore përkatësisht pandemia Covid – 19 apo konflikti në Ukrainë si pasojë e agresionit të Kremlinit. “Proçesi i Berlinit “ mbetet shembulli më i qartë i vonesave të diktuara nga zhvillimet dramatike në arenën ndërkombëtare ku takimi i fundit i mbajtur shënohet në vitin 2019 në Poznan….vonesë kohore politike e shfrytëzuar nga makineritë propagandistike qeverisëse të Shqipërisë dhe Serbisë për pasqyrimin e një nisme me thelb të munguar si “ Open Balkan”.
Tre marrëveshjet e firmosura në samitin e mbajtur në Berlin përkatësisht “marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët” kërkojnë një veprim pro-aktiv që konsiston në miratimin në parlamentet kombëtare të secilit shtet….proçese që vonohen si rezultat i situatave politike të paqëndrueshme në nivel kombëtar ku spikat shembulli i Republikës së Maqedonisë së Veriut ku Parlamenti është i bllokuar si pasojë e mosmarrëveshjeve LSDM- VMRO DPMNE….vonesa të tjera si në rastin e Bosnjës ku spikat raporti i lëvizjes së qytetarëve të të dy vendeve me regjim vizash me Republikën e Kosovës apo vullneti i cunguar i Serbisë duke gjetur shkak në marrëdhëniet e diskutueshme dhe çështjet e pazgjidhura me Republikën e Kosovës.
Tre marrëveshjet e firmosura në kuadër të Proçesit të Berlinit kërkojnë miratim të shpejtë dhe fillim të zbatimit të tyre dhe Republika e Kroacisë do të ishte përfaqësuesi i duhur gjeopolitik që do të inkurajonte shpejtimin e miratimit dhe zbatimit përmes një inkurajimi pozitiv prej një
mandati që buron nga statusi i saj politik në vetvete. Boshti “Berlin-Bruksel-Paris” do të gjente tek Republika e Kroacisë dhe tek lidershipi pro- Europian i Kryeministrit PLENKOVIÇ një partner që do të eleminonte secilën vonesë kohore që buron nga angazhimet politike të boshtit të shprehura më lartë dhe do të përcillnin drejt rajonit frymën e një vëmendje të pandryshuar dhe një rruge që nuk njeh kompromis tjetër pos Integrimit Europian.
Inkurajimi i lidershipit politik të Kroacisë në rajon do të ishte kundërtrupi i nevojshëm politik ndaj secilit ndikim …te tillë anësor apo të drejtpërdrejtë të Rusisë të shprehur përmes satelitëve të saj në rajon…të tillë që ndodhen në qeverisje apo në skenën politike të vendeve përkatëse. Lidershipi politik i Kroacisë në rajon me një mandat të qartë të boshtit politik “ Berlin-Bruksel Paris”, i jetësuar përmes përcaktimit të një emisari politik apo në një formë tjetër hierarkike, porme frymë dhe qëllim të pandryshuar, do të ishte garancia e një pranie të pandalur të çështjes së Integrimit të vendeve të Rajonit në agjendat e secilës presidencë, për më tepër në programet e Presidencave të vendeve të anëtarësuara në Union me zgjerimin e vitit 2004…shembulli I Presidencës Çeke është më i prekshmi. Në të njëjtën kohë, rikthimi i vëmendjes së boshtit politik “ Berlin- Bruksel- Paris” duhet të jetë në vazhdimësi dhe me një rikthim të vëmendjes së Partive Popullore Europiane, grupit më të madh politik në Parlamentin Europian, i tilli tashmë me një lidership të Ri, ritëm të ri por me vizionin e njëjtë për intensifikimin e Proçesit të Integrimit të Rajonit.
Gjatë viteve të fundit mbetemi dëshmitarë të një pranie të kufizuar të EPP e shprehur përmes mungesës së Raportuesve të së njëjtës përkatësi politike në vende të ndryshme të Rajonit si në Shqipëri ose në Republikën e Kosovës…..Partitë Popullore Europiane mund të inkurajonin përcaktimin e raportuesve Kroatë në vende të ndryshme të Rajonit , në rastet kur ky grup politik do të kishte të drejtën e përcaktimit të Raportuesit per vendin përkatës. Dinamika e shpejtë e zhvillimeve në skenën politike botërore dhe parashikueshmëria gjithmonë dhe më e kufizuar mbi të ardhmen politike apelon nevojën e një vëmendjeje përmes një fuqie rajonale të pranishme në secilën herë, një fuqie si Kroacia që nuk largon vëmendjen, inkurajon vëzhgimin pozitiv dhe ndërhyn shpejtë dhe efektivisht në parandalimin e papërshtatshmërive që marrin udhë dhe inkurajohen në Rajon për të penguar proçesin e Integrimit Europian. Samiti që do të mbahet në Tiranë përcjell mesazhin e qartë të rëndësisë parësore që merr zbatueshmëria e parimeve të Proçesit të Berlinit, një projekt europian që mbetet pararendja drejtë Integrimit Europian të vendeve të Rajonit dhe Kroacia mbetet aktori garant që do të mundësonte zhvillimin e një proçesi të barabartësh si në nivel protokollar dhe politik, gjithashtu.
/Argumentum.al