Kreu i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka kritikuar SHBA-në se po i vendos ekstra kritere Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Ai shkroi në rrjetin social X, se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë. “Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare ulen në ulësen e shoferit – jo SHBA”, ka shkruar Roth.
Roth rishpërndau një postim të kolegut të tij të Bundestagut, Frank Schwabe, i cili komentoi deklaratat e emisarit amerikan Gabriel Escobar, i cili tha se përveç vendimit për Manastirin e Deçanit, Kosova duhet të plotësojë edhe dy kushte, përfshirë asociacionin.
“Me gjithë respektin për të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Evropës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund t’i arrinin. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bazë të rregullave dhe vlerave tona”, ka shkruar Schwabe. /KosovaPress/