Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka deklaruar se vendi i tij “nuk dëshiron përplasje” me shtetet e rajonit dhe fuqitë botërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e presidentit iranian, Rouhani këtë e tha në një telefonatë me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad al-Thani, me rastin e festës së Fitër Bajramit.
“Irani kërkon të përmirësojë sigurinë rajonale. Ai nuk dëshiron përplasje me shtetet e rajonit apo fuqitë botërore”, tha Rouhani në bisedën telefonike me Emirin e Katarit.
“Por, nëse dikush kryen një veprim të paarsyeshëm kundër Iranit, ata do të marrin një përgjigje të ashpër që do t’i bëjë ata të pendohen për veprimet e tyre”, theksoi Rouhani, pa përmendur ndonjë vend specifik.
Rouhani po ashtu theksoi lidhjet e ngushta të Iranit me Katarin, sipas të cilit “politikat e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe përballë Jemenit dhe Katarit, bashkë me marrëdhëniet e tyre të dobëta me Iranit, shërbejnë për të dëmtuar të gjithë rajonin”.
Ai shtoi se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizat dhe problemet që aktualisht dëmtojnë Lindjen e Mesme.
Emiri i Katarit, nga ana e tij, gjatë bisedës telefonike tha se vendi i tij mbështet fuqishëm përpjekjet e ndërmjetësimit të Kuvajtit që kanë për qëllim uljen e tensioneve në rajon.
“Pozicionet e Katarit dhe Iranit në shumicën e çështjeve rajonale janë shumë afër njëri-tjetrit”, citohet të ketë thënë al-Thani, duke përshëndetur atë që ai e përshkroi si “kontakte të vazhdueshme midis dy vendeve tona”.
Duke pohuar se dialogu është e vetmja mënyrë për uljen e tensioneve në rajon, ai tha se, “Katari kurrë nuk do ta harrojë mbështetjen që ka marrë nga Irani”.