Rreth 1/3 e akullit në Himalajë mund të zhduket deri në fund të këtij shekulli për shkak të rritjes së temperaturave, thanë shkencëtarët. Kjo kërcënon edhe lumenjtë, që sigurojnë burime uji për gati 1.9 miliardë banorë.
Akullnajat gjigande i kanë shndërruar Himalajet në të ashtuquajturin “Poli i tretë” i planetit, pas Antarktidës dhe Arktikut. Zona e Hindukush është shtëpi e maleve më të larta në botë, që shtrihen në 3500 km, në 8 rajone, nga Nepali në Myanmar.
200 studiuesve të Qendrës për Zhvillimin e Integruar të Maleve, me qendër në Nepal, i janë dashur 5 vite kërkime për të dalë në përfundimin se një pjesë e mirë e akujve në Himalajë do të zhduket deri në vitin 2100, për shkak të ngrohjes globale.
Deri atëherë, në vend të akullit, Himalajet do të kenë gurë. Përveç bukurisë natyrore, Himalajet janë një aset i rëndësishëm gjeo-ekologjik pasi ushqejnë 10 lumenj të mëdhenj.
Edhe në qoftë se rritja e temperaturave globale limitohet me +2 gradë celsius, sërish 50% e akullnajave do të zhduket deri në 2100. Po sipas studimit, përveç ngrohjes globale, edhe ndotja e ajrit po jep ndikimin e saj pasi zona e Hindukush është një nga më të ndoturat në botë.
Studimi i sugjeron qeverive të këtyre rajoneve që të ndryshojnë sistemin e tyre të agrikulturës si dhe të përgatiten që tani për sistemet e kontrollit të përmbytjeve.