Mallrat nga Kina duket se kanë qenë më të “preferuara” këtë vit. Të paktën kjo rezulton nga të dhënat e Instat mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-gusht. Nëse importi është rritur në këtë tetëmujor, thuajse 50 % e kësaj rritje vjen nga Kina.
Në total, referuar të dhënave të Instat, në janar-gusht 2018, Shqipëria importoi 415.9 miliardë lekë mallra nga jashtë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të këtij viti, vlera e mallrave të importuar shënoi 428.9 miliardë lekë. E përkthyer në shifra, Shqipëria ka importuar 12.9 miliardë lekë mallra më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Mirëpo, nga këto 12.9 miliardë lekë mallra më shumë, afro 6 miliardë, janë mallrat që Shqipëria ka importuar nga Kina. Referuar të dhënave të Instituti të Statistikave, në janar- gusht 2018, nga Kina janë importuar mallra në vlerë 33.728 miliardë lekë, kurse për këtë tetëmujor, këto mallra kanë kapur vlerën e 39.818 miliardë lekëve.
Nga ana tjetër, edhe përsa i përket eksporteve, marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Kinën janë ‘të forta’. Kina është një nga vendet me të cilat Shqipëria ndjeu rritjen më të madhe të eksporteve në tetëmujorin e vitit 2019.
Konkretisht, me 7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në janar- gusht 2019, vendi ynë eksportoi drejt Kinës 4.169 miliardë lekë mallra. Në po të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kjo vlerë ishte 3.897 miliardë lekë.
Kjo rritje, me 7% për këtë pjesë të vitit tregon një tendencë pozitive, megjithatë, është shumë larg asaj që Shqipëria merr nga Kina. Edhe pse në fakt, për të ‘ballafaquar’ fuqinë eksportuese të Shqipërisë, nuk duhet të marrim si bazë krahasimore Kinën, sipas Instat, Shqipëria eksporton drejt kësaj të fundit afro 10.5%, të vlerës së mallrave që importon./
Jenida Vladi/ SCAN