Monedha e përbashkët ka kërcyer sot në tregun e brendshëm valutor, duke u rritur me 0.92 lekë, për të arritur në 125.73 lekë.
Kjo është rritja më e madhe ditore që nga qershori 2018, kohë kur banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun valutor për të frenuar rënien e euros.
Euro është kuotuar ndërkohë sot, në nivelet më të larta në gati pesë muaj, që nga fillimi i tetorit.
Monedha e përbashkët ka qenë në tendencë të lehtë rritëse prej gati dy javësh, por sot kërcimi i saj ka qenë shumë i fortë.
Në rritje ishte dhe dollari dhe gjithë valutat e tjera, që raportohen nga Banka e Shqipërisë. Një dollar u ngjit në 110.31 lekë, me rritje prej 0.44 lekësh në krahasim me një ditë më parë.
Aktorët e tregut të këmbimeve valutore pohojnë se kjo tendencë lidhet me transferimin e fitimeve të kompanive të huaja në vendet mëmë, çka ka rritur kërkesën për valutë. Kompanitë e mëdha po mbyllin bilancet dhe po këmbejnë fitimet nga lekë në euro. Ata presin që kjo tendencë të vazhdojë të paktën deri nga fillimi i marsit.
Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave, bëjnë të ditur se për 9 mujorin 2018, të ardhurat dalëse nga investimet, pjesa më e madhe e të cilit është transferim fitimesh ishin 296 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transferimi i fitimeve pothuajse është dyfishuar.
Ndër kompanitë kryesore që transferojnë fitimet janë bankat, pjesa më e madhe e të cilave janë me kapital të huaj. Pas humbjeve në 2017-n, kompanitë e telefonisë celulare kanë rikuperuar aktivitetin, duke deklaruar fitime. Vitet e fundit janë shtuar dhe koncesionarët, disa prej të cilëve po rezultojnë me fitime të larta, të cilat i transferojnë tek kompanitë mëma./Monitor