Me pankarta në duar me mijëra qytetarë janë mbledhur në shesh për të protestuar kundër rritjes abuzive të çmimeve të ushqimeve dhe të karburantëve në vendin tonë.
“Boll na vodhët”, është pankarta më e madhe që qytetarët që janë në vijën e parë të protestës mbajnë në dorë.
Protesta nisi në orën 11:00 në sheshin ‘Skëndërbej’, për të kulmuar më pas përpara Kryeministrisë. Aty janë mbajtur fjalime të ndryshme nga qytetarët, teksa protestuesit mbanin pankarta të ndryshme si “boll na vodhët”, “na u mbush kupa”, etj.
Më pas, ato vijuan sërish marshimin drejt Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”, duke bërë thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar. Në protestë ishin angazhuar rreth 800 forca policie, megjithatë nuk pati tensione.
Protestës sot iu bashkuan figura të njohura te ekranit si Florian Binaj dhe aktori tjetër i humorit Irgen Çela, por edhe banorët e “5 Majit”.
Pas disa orësh protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar në protestat massive të tre ditëve të shkuara.
Ata kanë lënë takim ditën e nesërme në të njëjtën orë pasi kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të realizohen
Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, në vendin tonë është vënë re një rritje e shpejtë e çmimeve të produkteve të shportës dhe çmimit të naftës. Ndërkohë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit vendosi sot se çmimi i naftës deri më 15 mars do të jetë 217 lekë për litër.
Protestuesit njoftuan se do të mblidhen sërish nesër në orën 11:00 në Sheshin Skënderbej për të vijuar me të njëjtin marshim drejt Kryeministrisë.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur protestuesve që janë mbledhur para kryeministrisë, duke ngritur zërin për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës dhe çmimit të naftës. Në Facebook, teksa i përgjigjet komentuesve, Rama thotë se nuk ka pritur që ‘një pakicë e çartur të ulërijë e shajë’ që ai të vepronte. Kryeministri thekson se sot do të jenë gati skenarët për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.
“Sa për atë protestë ndërkohë që tërë Europa, përfshirë edhe Shqipërinë, përballet me pasojat e para fare të një lufte, jo 4 ditë po 4 muaj apo 4 vjet të vazhdoje asgjë nuk do kisha bërë dhe s’kam pritur ata që shajnë e ulërijnë as për të mbrojtur familjen tende nga rritja e çmimit të energjisë dhe as për t’ju thënë të tërëve se brenda javës, domethënë sot do të kemi skenarët e përballimit të këtyre pasojave! Sa për fuqinë e popullit, unë jam në këtë detyrë pikërisht falë asaj fuqie, e cila nuk ka lidhje me pakicën që shan, mallkon, abuzon, paturpësisht fare, duke akuzuar papushim për vjedhje pa pikën e turpit, tamam me logjiken e hajdutit që çdo gjë dhe çdo njeri e lidh me vjedhjen, ndërkohë që po të ishte për të vjedhur mbante të tjerë këtu në vendin tim fuqia e popullit! Jo mor jo, do s’do kjo pakice e çartur, nuk janë të tërë hajdutë dhe nuk janë të tërë sharlatanë, po ka edhe ndryshe, kështu që vazhdoni protestën tani se unë kam detyrë të mbroj popullin nga pasojat e luftës, jo ata që flasin përçart në emër të tij”, shkruan Rama.
/Argumentum.al