Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat iu përgjigjen deklaratës së kryeministrit Edi Rama që paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë diktuar nga kriza globale energjetike. Sipas Bashës, qeveria nuk po i vjen në ndihmë qytetarëve dhe se kostot e jetesës janë bërë të pabërballueshme.
“Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha çmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë. Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo. Ata e kanë parë se si në momentet më të vështira të këtyre viteve, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka braktisur. Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës, dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë , por për të marrë në këmbim votën e tyre. Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi”, tha Basha.
Për të përballuar këtë krizë me sa më pak pasoja, Basha bën 7 propozime, teksa përmend heqjen e “taksës Rama” mbi karburantet, uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, subvencionimin e çmimit të energjisë për qytetarët, ristrukturim të buxhetit etj..
Propozimet e Bashës:
1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;
2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;
3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;
4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;
5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.
7 – Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.