“Në Shqipëri ekziston vullneti për të rritur bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të ndërsjelltë si turizmi, kultura, arsimi, shëndetësia, rritja e pranisë së bizneseve dhe investimeve palestineze në Shqipëri, nëpërmjet bashkëpunimit midis dhomave të tregtisë, pjesëmarrjes në ekspozita e panaire, si dhe organizimit të forumeve të biznesit”. Kështu deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në takim me Ambasadoren e re të Shtetit të Palestinës, Hana A. Shawa.
Kryetari i Kuvendit i uroi Ambasadores suksese në përmbushjen e misionit të saj në Shqipëri dhe e siguroi për gatishmërinë e Kuvendit dhe të institucioneve shqiptare për ta mbështetur në kryerjen e detyrës.
Ruçi theksoi vullnetin politik të Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, duke venë në dukje se Shqipëria është ndër vendet e para të botës dhe vendi i parë europian që ka njohur Shtetin e Palestinës dhe i konsideron marrëdhëniet me Palestinën si të mira dhe miqësore.
“Shqipëria ka mbështetur në mënyrë të vazhduar dhe pa rezervë përpjekjet ndërkombëtare dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme, e që njihet ndryshe si procesi i bisedimeve mes Izraelit dhe Palestinës. Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të linjëzimit me politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Shqipëria i është bashkuar në mënyrë të rregullt pozicionit të njësuar të Bashkimit Europian mbi procesin e paqes. Sipas këtij pozicioni, konflikti duhet të zgjidhet mbi bazë të formimit dhe funksionit të dy shteteve, që jetojnë në paqe e siguri, e ku Jerusalemi të jetë pjesë e kësaj zgjidhje, e dakordësuar nga të dy palët”, vuri në dukje kryeparlamentari Ruçi.
Ambasadorja Shawa shprehu kënaqësinë që është ngarkuar të drejtojë ambasadën e Shtetit të Palestinës në një vend të bukur dhe mik, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, për mbështetjen e Shqipërisë ndaj çështjes palestineze dhe u zotua të punojë për fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Shtetit të Palestinës, në fusha me interes reciprok.