Rritja ekonomike e vendit po i ngjan një rulete të fatit, që rrotullohet dhe ngec çdo tremujor në një sektor dhe më pas fillon të rrëshqasë sërish, duke shpresuar të ndalojë diku tjetër, ku pikët janë pozitive.
Pas rritjes më të lartë të dekadës në vitin 2018, me mbi 4%, gjashtë muajt e parë të këtij viti treguan se kjo ecuri ishte thjesht rastësi e një ngjarjeje fatlume, siç ishte shiu i bollshëm në pjesën e parë të vitit. Ky mot i favorshëm nxiti eksportet e energjisë, të cilat, në metodologjinë e INSTAT, llogariten tërësisht si vlerë e shtuar, duke ndikuar në gati gjysmën e rritjes ekonomike të vitit të kaluar. Një vlerë e shtuar, në fakt, që nuk kishte ndonjë efekt real as në punësim dhe as në shtimin e mirëqenies së popullsisë së vendit, por vetëm sa solli pak më shumë taksa në buxhet.
Që performanca ishte rastësore, e ngecur në zonën e energjisë, u vërtetua shumë shpejt. Në pjesën e parë të këtij viti, rritja ekonomike u përgjysmua në 2.2-2.3%, sipas të dhënave zyrtare që u publikuan nga INSTAT. “Industria nxjerrëse, përpunuese; Energjia elektrike, ujë” ndikuan negativisht në përkatësisht -0.8 dhe 0.23% të zgjerimit në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2019.
Ironikisht, sektori tjetër që po ndikon negativisht, është ai i lojërave të fatit, që nuk është më i ligjshëm që prej 1 janarit 2019. A ju besohet që ekonomia ka qenë aq e varur pas kumarit dhe bixhozit, sa mbyllja e rreth 10 kompanive, që qarkullonin rreth 140 milionë euro në vit, të ndikojë negativisht në 0.48% të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit. E pra, ky sektor që vetëm sa nxiste veset dhe nuk sillte asnjë vlerë, ishte bërë kaq i rëndësishëm vitet e fundit. Dhe nuk jemi aspak të sigurt që ai nuk vazhdon më i fshehur mes bareve e lokaleve, teksa teknologjia mundëson që ai të zhvillohet online. Thjesht, ai është fshehur nga radarët zyrtarë dhe nuk po jep më efekt në mbledhjen e taksave.
Në dy vitet e fundit, ruleta kishte ngecur dhe në projektet e mëdha, shansi për të cilat vjen shumë rrallë. Projektet e gazsjellësit TAP dhe të Devollit, me një vlerë totale rreth 2 miliardë lekë, nxitën përkohësisht Investimet e Huaja Direkte dhe infrastruktura mbështetëse e tyre u dha hov shifrave të ndërtimit. Por, edhe ky rubinet po mbyllet tashmë.
Të dy projektet po mbarojnë dhe ai më i madhi i gazsjellësit, me investim 1.5 miliardë euro, po “varroset” nëntokë (Shqipëria nuk mund të shfrytëzojë gazin që do të kalojë nën të, të paktën në një afat të mesëm, për shkak të mungesës së infrastrukturës). Në tremujorin e dytë të vitit, ndërtimi kontribuoi negativisht me 0.15%, pikërisht për shkak të përfundimit të punimeve nga nënkontraktorët e TAP. Këtë efekt nuk arritën ta zhbënin as ndërtimet e pafund në kryeqytet, në një tregues që ndikimi i tyre në ekonominë reale është i papërfillshëm. Qiellgërvishtësit, për të cilët po shpenzohen miliona euro, edhe nëse do të arrijnë që të përfundojnë, nuk do të sjellin në afat të gjatë as punësim, as rritje produktiviteti, as vlerë të shtuar për ekonominë, gjëra për të cilat kemi nevojë në afat të gjatë.
Tashmë ruleta ka ndaluar në sektorin e shërbimeve, i nxitur nga turizmi. Një fat që na erdhi në derë rreth tre vjet më parë, kur kriza në Turqi i nxiti operatorët më të mëdhenj turistikë të Europës të kërkonin tregje të reja. Shqipëria, e pazbuluar, me çmime të lira, tërhoqi vëmendjen e tyre. Ky shans u shfrytëzua me shpejtësi nga bizneset, që nxituan të zgjeronin kapacitetet, apo të investonin në ngritjen e hoteleve të reja.
“Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” kishin dhe efektin më të lartë në normën reale të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë, me 0.71%. Një sektor që realisht ka potencial dhe sot është pothuajse i vetmi që po mban në këmbë ekonominë. Por, ndryshe nga bizneset, qeveria, përtej deklaratave të bukura, nuk duket se po e merr seriozisht. Operatorët ankohen se nuk po arrijnë të zgjidhen ende probleme minimale si infrastruktura, apo dhe mbledhja e plehrave, që po zhbëjnë dhe avantazhin e çmimeve të ulëta dhe rrezikojnë largimin e turistëve në afat të mesëm. Treguesi më i mirë për këtë janë polakët, të parët që erdhën dhe të parët që po ikin (për 8-mujorin, hyrjet e polakëve kanë rënë me 13%).
Turizmi është i vetmi që ka potencialin të nxisë zhvillimin në afat të shkurtër dhe për të pasur të njëjtën linjë në afat të mesëm e të gjatë, duhet të punohet fort. Elemente të tjera që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin produktivitetin do të duhet kohë, mund dhe strategji të formësohen, por për momentin, energjitë janë të përqendruara te koncesionet! Deri atëherë, ruleta e rritjes ekonomike, do të vijojë të rrotullohet bosh! – monitor